Mulliqi:Kemi një arsim të dobët dhe të politizuar nga partitë - Lajme - Kosova Sot
Mulliqi:Kemi një arsim të dobët dhe të politizuar nga partitë

Mulliqi:Kemi një arsim të dobët dhe të politizuar nga partitë

Analisti Skënder Mulliqi, për gazetën "Kosova Sot", tha se edhe arsimi si një ndër shtyllat kryesore të mbajtjes gjallë të një shteti nuk mbeti imun nga mosreformimi, nga mospuna e sinqertë dhe nga marifetet e tjera "Kemi arsim të dobët, kuadro të dobëta për mbarëvajtjen e mirë të procesit të arsimit. Në shkollat tona nuk kemi as disiplinë të duhur, po punojnë kuadro të cilat po dërgohen të papërgatitur sa duhet profesionalisht, më shumë sipas çelësit partiak, me direktiva të partive në pushtet", u shpreh ai. "Kemi një arsim bukur shumë të politizuar nga partitë në pushtet, të cilat po i kontrollojnë duke filluar nga nivelet më të ulëta deri te universitetet shtetërore e private. Po i dërgojnë njerëzit e vet në vendet udhëheqëse, të cilët shkollimet superiore dhe doktoratat i kanë marrë shkel e shko, dhe nuk kemi çka presim nga njerëzit e profilit të tillë se do të kemi arsim cilësor", vlerësoi Mulliqi. "E kam thënë disa herë se arsimi është bërë vendi ku po prodhohen analfabetë potencialë, të cilët po zënë vend edhe në administratën shtetërore, kuadrot e dobëta i kanë uzurpuar pozitat, ku nevojitet profesionalizëm i lartë", ka thënë më tej ai. Analisti Mulliqi thotë se Ministria e Arsimit duhet t'i bëjë politikat konform kërkesave të tregut dhe nevojave të tjera ekonomike të vendit, siç veprohet në secilin shtet të zhvilluar.

(Kosova Sot)

23 orë e 0 minuta më parë
23/09/18