Beqiri:Bizneset e vogla kanë nevojë për mbështetje për të garantuar treg të lirë

  • 19 March 2018 - 17:01
Beqiri:Bizneset e vogla kanë nevojë për mbështetje për të garantuar treg të lirë

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për "Kosova Sot" theksoi se biznesi i vogël dhe i mesëm ka mbetur pa mbështetje adekuate nga ana e institucioneve të shtetit. Me gjithë ndihmën nga BE-ja, prapëseprapë po ballafaqohet me sfida serioze. "Pas vitit 1999, me vendosjen e Administratës së Përkohshme Ndërkombëtare në Kosovë, u mundësua regjistrimi i përkohshëm i bizneseve, deri në mars të vitit 2003. Pas këtij viti regjistrimi i bizneseve mori një kah pozitiv dhe u shndërrua nga regjistrimi i përkohshëm në regjistrim të përhershëm". Ai theksoi se hapja e ndërmarrjeve dhe regjistrimi i tyre u zhvillua me një hov të madh, nga viti 1999 deri në fund të vitit 2017 janë regjistruar rreth 173.805 biznese sipas ARBK-së. "Sipas Administratës Tatimore të Republikës së Kosovës, numri i bizneseve aktive të regjistruara në ATK deri në fund të vitit 2016 është 87. 979, ku prej tyre 63.753 janë biznese individuale, ndërsa 24. 226 janë biznese juridike, ndërkaq 42.654 janë numra fiskalë për persona fizikë. Ndërsa si pasojë e kushteve të vështira aktivitetin e tyre e kanë shuar 25. 250 biznese kosovare, ende edhe 19 vjet as përfundimit të luftës bizneset po ballafaqohen me mungesën e energjisë elektrike, qasjen në financa, probleme me sundim të ligjit, mosefikasitet të gjykatave", është shprehur ai. Sipas Beqirit, po mos të ishte ndihma ndërkombëtare NVM-të e kishin pasur edhe më të vështirë operimin e tyre, me miratimin e Pakos fiskale 1.0 dhe propozimin 2.0 ka mundësuar që këtë biznese të shohin ndihmën konkrete nga shteti, bizneset e vogla kanë nevojë edhe për mbështetje për të garantuar treg të lirë, konkurrencë të drejtë dhe mbështetje për biznese prodhuese. 

(Kosova Sot)