Kelmendi: Gazetë që i qëndroi afër popullit

  • 23 March 2018 - 13:21
Kelmendi: Gazetë që i qëndroi afër popullit

Edhe prof. i së drejtës dhe veprimtari Muhamet Kelmendi vlerëson se veprimet kriminale ndaj gazetës "Kosova Sot" , të regjimit serbomadh dhe pushtues, janë të paprecedent dhe shumë të papranueshme. "Vepra të tilla janë kryer ndaj medieve, si gazetës "KOSOVA SOT", ashtu edhe ndaj masave të gjëra popullore, duke vrarë dhe duke masakruar fëmijë dhe pleq, gra dhe të rinj. E tërë kjo me qëllime të frikësimit të forcave të shëndosha dhe demokratike në vend, për të sunduar.

Por, as"KOSOVA SOT", as edhe populli ynë i masakruar, i djegur e i dëbuar, nuk është kompensuar. Vendi lëngon për drejtësi dhe shtet ligjor. Në Kosovë kemi mbi 20 mijë femra të dhunuara, mbi 150 mijë objekte të shkatërruara dhe mbi 1 milion njerëz të dëbuar. E tëra kjo është bërë me dhunë dhe me terror, me masa kriminale dhe cioniste, me qëllim të zhdukjes së kombit shqiptar nga Kosova. Dhe, në këtë gjendje, "KOSOVA SOT" ishte pranë popullit dhe me popull e përjetonte dhunën kriminale. Por, kjo gazetë bëri informimin e masave dhe të opinionit botëror. Në këtë kuadër, u thelluan masat dhe dënimet e rënda, duke e djegur shtypshkronjën dhe duke e dënuar gazetën "KOSOVA SOT"", tha Kelmendi.

Ai ka pohuar se pikërisht duke u bazuar në këtë anë, kjo gazetë është krenare. "Sepse gazeta "KOSOVA SOT" jeton dhe jetoi me popullin. E keqja është mosrespektimi i saj nga pushteti . Po, në gjendjen që e kemi, me gjykata të kapura dhe me krim e mafi në pushtet nuk pritet ndonjë ndihmë për këtë gazetë. I dëshiroj gazetës "KOSOVA SOT" të vazhdojë rrugën dhe mos të ndalet. Është detyrë e çjerrjes së maskave të krimit e të korrupsionit. Jam i bindur se vetëm kështu mbetet gazetë e popullit, burim informimi dhe natyrisht jo e dashur për pushtetarët ekonomikë dhe politikë", theksoi Muhamet Kelmendi.

(Kosova Sot)