Gjyqtarët dhe prokurorët, peng i POLITIKËS SË KRIMINALIZUAR

  • 21 April 2018 - 09:16
Gjyqtarët dhe prokurorët, peng i POLITIKËS SË KRIMINALIZUAR

Lidhjet korruptive, klienteliste, partiake, thellojnë padrejtësitë

"Për çmontimin e kësaj kaste diktature të krimit dhe të korrupsionit duhet një ndërmarrje e fuqishme, e mbështetur nga SHBA-ja, duhet një pastrim radikal, rrënjësor, i politikës, një ndëshkim dhe dëbim nga politika i pothuajse të gjithë politikanëve aktualë, pastrim i partive politike nga lidershipet e tyre dhe një lëvizje civile mbështetëse pro VETTING", potencoi Skënder Kapiti për "Kosova Sot" 

Në fillim të këtij viti, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, gjatë muajit janar kishte deklaruar shkurt e qartë se në Kosovë akoma asnjë nga këto institucione të drejtësisë nuk po ka guxim, vullnet dhe kurajë për t'u ballafaquar seriozisht me dukuritë negative, me krimin dhe korrupsionin e nivelit të lartë. Duke bërë këtë konstatim ai pati paralajmëruar rrezikun që i kanoset shtetit të ri nga sistemi i brishtë i drejtësisë: "A dëshironi që Kosova të bëhet vend ku sundimi i ligjit nuk aplikohet për ata që kanë pushtet, që kanë fuqi apo miq politikanët e fuqishëm? A dëshironi që Kosova të jetë një vend i tillë, ku kriminelët nuk përballen me asnjë pasojë për krimet e tyre evidente, të pashme e të faktueshme?", kishte pyetur diplomati i SHBA-së. Tani jemi në muajin e katërt pas lëshimit të kësaj deklarate dhe gjërat nuk po duket se po lëvizin për të mirë. Analistët dhe njohësit e kësaj fushe me të drejtë e shtrojnë pyetjen pse prokurorët dhe gjyqtarët aktualë nuk ka shanse të arrijnë ndonjë rezultat për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, apo edhe politikanët efuqishëm?! Sipas gjykimit të tyre, mafia kriminale në Kosovë është aq e fuqishme saqë asnjë BOSS i nivelit të lartë, qoftë nga politika apo nga mafio-oligarkia, nuk ka shanse të arrestohet, e lëre më të gjykohet e të dënohet me këta prokurorë dhe gjyqtarë të dirigjuar nga politika.

Bashkëjetesa kriminale

Sipas analistit Forim Zeqa, deklarimi i ambasadorit tregon më së miri se si për qytetarët e vendit, sikurse politikanët ashtu edhe prokurorët e gjykatësit, janë bërë sinonim i korrupsionit dhe krimit të organizuar."Nuk ka si të jetë ndryshe kur njerëzit që udhëheqin dhe ata që duhet të mbrojnë shtetin, gjegjësisht prokurorët, gjykatësit dhe policia hetimore, bashkëjetojnë me krimin e organizuar. Si rezultat i kësaj bashkë- jetese kriminale, sot në Kosovë nuk ka prokurorë dhe gjykatës që merr guximin të shënojë ndonjë rezultat evident në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në të dyja nivelet e pushtetit (qendror apo lokal), pasi BOSS-ët e nivelit të lartë nga politika dhe mafio-oligarkia janë aq të fuqishëm saqë janë bërë vetë ligji në Kosovë! Si të tillë ndihen të paprekur nga ligjet dhe drejtësia vendore. Për më keq se kaq, familjarët e tyre sillen si "kaubojë" rrugëve dhe shesheve të qyteteve tona", u shpreh ai. "Arrestimi i BOSS-ve të krimit të organizuar mbetet vetëm një ëndërr e qytetarëve dhe dëshirë e ndonjë prokurori apo gjykatësi të pastër në vendin e zhytur në krim të organizuar dhe korrupsion të lartë. Andaj, shqetësimi i ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, dhe përfaqësive të tjera diplomatike në vendin tonë për mosaplikim të ligjit për ata që janë të veshur me pushtet, që kanë fuqi apo miq politikanët e fuqishëm,...duhet të jenë më tepër se shqetësim për qytetarët e rëndomtë të këtij vendi, pasi kriminelët nuk përballen me asnjë pasojë për krimet e tyre shumëdimensionale, si në rrafshin ekonomik ashtu edhe në atë politik..., ndërsa në anën tjetër ndëshkohen qytetarët me mosrealizimin e të drejtave të tyre ligjore, me zvarritjen e proceseve gjyqësore përmes procedurave burokratike", theksoi më tutje Zeqa për "Kosova Sot".

Diktatura e korrupsionit

Analisti Skënder Kapiti thekson se shqetësimet e ambasadorit të shtetit mik amerikan janë të arsyeshme, sepse, sipas tij, gjykata, prokuroria dhe tërë sistemi i drejtësisë janë pjesë e kastokracisë së kriminalizuar dhe të korruptuar, së bashku me politikën, e cila i zgjedh dhe i mbron ato."Kjo kastë autokracie ka vendosur dhe instaluar në Kosovë regjimin monopol të diktaturës së krimit dhe të korrupsionit. Në krye të kësaj kaste krimi dhe korrupsioni janë ata, pikërisht të kriminalizuarit, të korruptuarit, mafio- oligarkia është kjo amalgame individësh halabakë, injorantësh, të pashpirt dhe pa traditë e të pakulturë juridike, intelektuale dhe as patriotike, pa personalitet, të papërgjegjshëm, të cilët kanë si fe, si moral dhe si personalitet vetëm interesin personal, vetëm paranë dhe përfitimet, vjedhjet dhe abuzimet me ligjin, me shtetin, me Kushtetutën, me fis e akraba", ka thënë ai.

"Këta nuk e luftojnë krimin e organizuar dhe as korrupsionin, sepse këta jenë në krye, lart, në maje të kastës kriminalo-korruptive.Mbi të gjitha duhet një VETTING për gjithë sistemin e drejtësisë dhe po të jetë e mundur pastrimin e gjyqësorit prej të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve aktualë", tha Skënder Kapiti për "Kosova Sot" 

Prandaj, prej këtyre as që mund të pritet dhe as që mund të besohet se Kosova do të bëhet shtet ligjor, shtet demokratik, pasi prej këtyre as nuk luftohet krimi, as korrupsioni dhe as nuk do t'i kthehet demokracia dhe shoqëria normalitetit, ajo që duhet dhe si duhet", theksoi Kapiti. Ai zgjidhjen e sheh vetëm te Ligji vetting, për të dalë nga ky kolaps."Për çmontimin e kësaj kaste diktature të krimit dhe të korrupsionit duhet një ndërmarrje e fuqishme e mbështetur nga SHBA-ja, duhet një pastrim radikal, rrënjësor i politikës, një ndëshkim dhe dëbim nga politika i pothuajse i të gjithë politikanëve aktualë, pastrim i partive politike nga lidershipet e tyre dhe një lëvizje civile mbështetëse pro VETTING", potencoi Kapiti. Ndërsa njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, thotë se nevojitet një presion akoma më i madh nga miku amerikan, Delawie, në mënyrë që efikasiteti në drejtësi të rritet pas pastrimit të tërë sistemit përmes Ligjit VETTING. "Ambasadori i nderuar amerikan nëse e do Kosovën, nëse di ta ndihmojë vendin tonë dhe ta nderojë edhe më shumë shtetin e tij amerikan, duhet të ndikojë që të sjellë së pari një VETTING të fuqishëm në Kosovë, sikur e solli ambasadori amerikan në Tiranë, ku do të pastrohej së pari gjyqësia, prokuroria, policia dhe inteligjenca dhe normal kjo do të sillte edhe pastrimin e politikës nga dora e mafisë", tha Miftari për "Kosova Sot".

Mobilizohet prokuroria

Edhe analisti dhe publicisti Naim Kelmendi ka vlerë- suar se deklarata e ambasadorit amerikan me të drejtë shpreh shqetësimin e arsyeshëm për gjendjen e drejtësisë në vend, sepsekjo drejtësi nuk mund të vihet në binarë pa pastrimin e politikës."Kjo gjendje shkon edhe më keq kur është në pyetje sundimi i rendit dhe ligjit në Kosovë, ngase me këta gjyqtarë e prokurorë aktualë nuk ka gjasa që të arrihen rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ngase duket se mafia kriminale është aq e fuqishme saqë asnjeri nga këta "të plotfuqishmit" e nivelit të lartë të politikës apo nga mafio-oligarkia nuk ka gjasa të arrestohen, e lëre më të gjykohen e të japin llogari para drejtësisë, me këta prokurorë e gjyqtar të ndikuar e të dirigjuar nga politika", theksoi Kelmendi për "Kosova SOT". Sidoqoftë, Prokuroria e Shtetit nuk pajtohet me këto vlerësime dhe gjykime. Zyrtari për informim në Prokurorinë e Republikës së Kosovës, zyra e kryeprokurorit Lumezi, i tha gazetës se prokurori i Shtetit vepron dhe punon në bazë të mandatit ligjor që ka, ligjeve në fuqi dhe në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ai thotë se sidomos këto ditë e ka një angazhim shumë serioz të këtij institucioni për të vepruar dhe ngritur akuza për të gjithë ata zyrtarë publikë për të cilët ofrohen dhe sigurohen provat dhe se hetimet janë duke vazhduar në shumë pista të ndryshme. "Në reflektim të kësaj, ditëve të fundit jeni dëshmitarë edhe ju se Prokuroria e Shtetit e ka dëshmuar këtë edhe në praktikë dhe ka ngritur një numër aktakuzash ndaj zyrtarëve të lartë publikë, duke përfshirë ministra në detyrë, deputetë dhe zyrtarë të tjerë të lartë publikë. Hetime tjera janë duke u zhvilluar dhe në kohën e duhur opinioni do të informohet në mënyrë adekuate", u shpreh Lutfiu për "Kosova Sot". Sipas tij, prokurori i Shtetit është i përkushtuar për të luftuar krimin, pavarësisht emrit, pozitës dhe statusit shoqëror që mund të kenë të dyshuarit. S. AHMETI

(Kosova Sot)