Derisa sundon nëntoka kriminale, drejtësi nuk ka!

  • 27 April 2018 - 07:27
Derisa sundon nëntoka kriminale, drejtësi nuk ka!

KAPJA E ORGANEVE SHTETËRORE NGA STRUKTURAT PARAPOLITIKE

Miftari: Kosova do të jetë çerdhe e korrupsionit dhe mafisë, edhe shumë vjet 

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, sipas njohësve të kësaj fushe dhe analistëve politikë, do të vazhdojë edhe një kohë të gjatë të mbetet i brishtë e jofunksional, për shkak të ndikimit të skajshëm dhe kapjes nga politika, kurse Kosova me këtë sistem do mbetet një oazë e krimit të organizuar dhe e korrupsionit galopant në rritje të pandalshme. Kjo gjendje dyshohet se do të mbetet e tillë, pasi, sipas opinionistëve, të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët duan të jenë "në paqe dhe 100% në shërbim" te politikanëve pushtetarë e sundimtar të të dyja niveleve, e të cilët janë të lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Eksperti i së drejtës, prof. Mazllum Baraliu tha për "Kosova Sot" se gjendja amnezike dhe e rëndë e sistemit të drejtësisë te ne do të vazhdojë të jetë e tillë, derisa strukturat e caktuara, dominante kleptokratike dhe etatiste shtet - parti - interes - pangopësi, ta humbin dheun nën këmbë, derisa ta humbin pushtetmbajtjen makiaveliste, rrjedhimisht edhe ndikimin dhe makro e mikro-menaxhimin direkt ose indirekt të hallkave relevante dhe dominante institucionale në këtë vend.

MIFTARI: PARASISTEMET POLITIKE NË KOSOVË NË FAKT JANË PARAFORMACIONE TË KRIMIT TË ORGANIZUAR POLITIK

Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, thotë se Kosova do të jetë çerdhe e korrupsionit dhe mafisë,edhe shumë vjet apo dekada, pasi edhe politikanët e rinj që do të vijnë në pushtet në të ardhmen, ka rrezik që përgjatë rrugës, derisa do të vijnë në pushtet, do të korruptohen prej parasistemeve politike, e që në fakt janë paraformacione të krimit të organizuar politik. "Gjendja kaotike dhe negative në Kosovë nuk është rastësi, por çdo gjë është e koordinuar që shteti i Kosovës të mos funksionojë si shtet i mirëfilltë, por të funksionojë si shtet joserioz, si karikaturë shtet, shtet i cili do të varet nga politikat e huajve dhe mëshira e tyre", theksoi ai. "Mos të harrojmë se pikërisht kjo qeverisje e keqe, e kurdisur edhe nga të huajt që nuk e duan Kosovën shtet stabil, e kanë kthyer Serbinë e humbur në vitin 1999 në fitues absolut të pasluftës, kurse Kosovën me këta politikanë të korruptuar e kanë kthyer mbrapa dhe ka ardhur puna deri aty që pa Serbinë s'mund të kemi as Qeveri, as Ushtri, as Polici dhe as inteligjencë", tha Miftari për "Kosova Sot".

ZEQA: PROKURORIA DHE GJYQËSORI, AVOKATË DHE MBROJTËS TË KRIMIT TË ORGANIZUAR E KORRUPSIONIT

Analisti politik Florim Zeqa thotë se Kosova e paradokseve të shumta vazhdon të renditet në ranglistat e vendeve më të korruptuara në kontinentin evropian dhe me krimin e organizuar në rritje e sipër dhe korrupsionin galopant ka mbetur vrimë e zezë në gadishullin ballkanik. "E tërë kjo, rezultat i gjyqtarëve dhe prokurorëve të lidhur me krimin e organizuar dhe në shërbim të politikanëve sundimtarë në të dyja nivelet e pushtetit. Prokuroria dhe gjyqësori për 10 vjet rresht, jo vetëm që nuk e kanë luftuar krimin e korrupsionin, janë bërë avokat dhe mbrojtës të krimit të organizuar e korrupsionit në vendin tonë. Përderisa të jetë në pushtet klasa e politikanëve të inkriminuar, jo vetëm që nuk do të kemi luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, në Kosovë qytetarët do të jetojnë në anarki të plotë, ku në vend të ligjit sundon nëntoka kriminale e lidhur me pushtetarët dhe jo vetëm kaq", u shpreh ai. " Përderisa të jetë në politikëbërjen kosovare kjo klasë politike (pushtet dhe opozitë), nëntoka e mafio-oligarkëve, e lidhur me mafio- politikën e lartë të vendit, do ta udhëheqin e stërkeqin sistemin e drejtësisë, të shndërruar çerdhe të krimit dhe padrejtësisë për qytetarët. Në oqeanin e kontaminuar të skenës politike 'peshqit e mëdhenj' lëvizin të lirshëm, pasi prokurorët dhe gjyqtarët nuk e kanë guximin as t'u afrohen e lërë më t'i kapin bosët e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë në të dyja nivelet e pushtetit. Paradoksalisht, në vend që t'i dënojnë, prokurorët dhe gjyqtarët i ndihmojnë kriminelët duke ua prolonguar lëndët deri në pambarim, derisa lëndët e tyre të vjetrohen dhe të humbin kuptimin në aspektin ligjor", vijoi më tej Zeqa. Sipas tij, mafiopolitikanët e nivelit më të lartë dhe mafio-oligarkët ekonomikë, të paprekshëm nga drejtësia, mbajnë monopol kriminal mbi të gjitha institucionet e shtetit, duke shkelur Kushtetutën dhe të gjitha ligjet që burojnë prej saj.

Dalje nga amnezia politiko-ligjore

Sipas Baraliut, vetëm këndellja nga kjo amnezi, jo vetëm institucionale e politike,por edhe kolektive e gjithë - shoqërore,si dhe vetëdijesimi gjeneral, për një reformim gjithëshoqëror, pra një ristrukturim edhe institucional, edhe të veprimit kolektiv, edhe qeverisës, më respektues dhe më dashamirës ndaj shtetit dhe sidomos ndaj qytetarëve të Kosovës, mund të ndikojë seriozisht dhe fuqimisht në konsolidimin e institucioneve dhe të shoqërisë në përgjithësi. Prof. Baraliu për "Kosova Sot" theksoi se deri më tash shumë herë është thënë dhe është përsëritur, se ndryshimi avancues i gjendjes edhe në gjyqësor dhe gjithandej, mund të bëhet vetëm me një reformë të thellë e të gjerë, pra gjithëpërfshirëse të tipit të VETTING-ut shqiptar, por edhe të ndryshimit të metodave dhe modeleve të veprimit institucional. Sipas Baraliut, ky proces po vonohet në Kosovë. "Për këtë, fatkeqësisht, deri më tani interesim për ndryshim të gjendjes nuk ka treguar as pozita, madje as edhe opozita politike kosovare. Prandaj, mbase një ristrukturim dhe ridizajnim tjetër fare i demokracisë elektorale dhe kushtetuese, me gatishmërinë dhe përkushtimin e të gjithëve do të mund padyshim ta ndryshojë gjendjen për të mirë -në perspektivë të afërme", shprehet ai. Ndërsa, sipas analistit Hidajet Ahmeti, korrupsioni galopant, krimi i organizuar, nepotizmi e klientelizmi janë koncepte që janë implementuar vazhdimisht brenda logjikës qeverisëse të mbasshpalljes së pavarësisë së Kosovës, me partitë që kanë qeverisur që nga atëherë dhe është vështirë të shkë- putet kjo logjikë e keqqeverisjes pa e bërë ligjin e VETTING-ut dhe të konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme. "Është utopike të mendohet 'çlirimi' i institucioneve publike të pavarura nga kthetrat e mafio-politikës dhe nëntokës kriminale, e cila çdo ditë e më shumë uzurpon institucionet publike të pavarura dhe minon terrenin për dalje nga kjo gjendje. Përveç diagnozës për realitetin politik, duhet të kemi edhe preventivën për daljen nga kjo gjendje e 'vdekjes klinike' të shtetit, e cila është në duar të shumë faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm", theksoi ai. "Fillimisht duhet të kemi një presion më të theksuar nga shoqëria civile e faktorët ndërkombëtarë, ku përveç miratimit të një pako ligjesh për sistemin e drejtësisë, të kemi edhe një presion brenda domenit të demokracisë që të implementohen ato ligje", potencoi Ahmeti për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)