Gjenerali kroat i ndjek viktimat e veta edhe në varr

  • 24 May 2018 - 13:24
Gjenerali kroat i ndjek viktimat e veta edhe në varr

Shoqata e Gjeneralëve Kroatë i ka ngritur përmendoren e varrit gjeneralit “të çmendur” Ivan Korade në të njëjtën varrezë ku prehen edhe viktimat e tij, njoftojnë mediat kroate.

Përmendorja e këtij gjenerali është më e madhja në tërë varrezën, për ç’arsye familjet e viktimave të tij, të cilat s’kanë marrë kurrfarë dëmshpërblimi për humbjen që kanë pësuar, sërish po përjetojnë çaste tmerri, lajmëroi RTL.

Korade gjatë luftës në Kroaci ka qenë komandant i Brigadës VII gardiane “Pumat”, ndërsa në publik u bë i njohur me atë që gjatë operacionit përfundimtar për çlirimin e Kroacisë nga pushtuesit serbë, “Stuhia”, ndër të parët hyri në qytetin e Kninit, ku në kështjellën e atjeshme ngriti flamurin kroat.

Për meritat e tij të luftës ishte i çmuar ndër bashkëluftëtarët e brigadës, si dhe ndër kolegët nga Shoqata e Gjeneralëve, por gjithashtu ishte i njohur edhe për sjelljen e dhunshme, që rregullisht ndodhte kur ishte në gjendje të alkoolizuar.

Në gusht të vitit 2007 mori pjesë në incidentin në një kafiteri në Varazhdin, ku pat hyrë i armatosur me revole. Fatmirësisht, masakra e mundshme atëherë u evitua, ndërsa gjenerali u rrah keq kur iu thye nofulla dhe eshtrat e hundës dhe të fytyrës.

Para dhjetë viteve, Korade në Zagorje me breshëri nga pushka automatike vrau Mario Kusaniqin, policin i cili ishte pjesë e ekipit policor që kishte për detyre ta arrestonte. Pas kësaj bëri vetëvrasje, duke e qëlluar veten në kokë.

Kësaj i parapriu një gjakdershje e tmerrshme e shkaktuar nga Korade. Natën mes 26 dhe 27 marsit 2008, pasi që kishte vrarë ish-bashkëluftëtarin dhe mikun, 36-vjeçarin Davor Petrish, me të shtëna nga revolja vrau 16-vjeçarin Goran Hudiq, gjyshen e tij 62-vjeçare Cecilija Hudiq dhe 64-vjeçarin Franjo Kos. Më lehtë kishte plagosur 59-vjeçarin Vlado Knok.

Krimet u zbuluan mëngjesin e 27 marsit, kur Korade veçmë ishte në arrati dhe i pakapshëm për policinë. Kërkimi dhe ndjekja e tij zgjatën tetë ditë, ndërsa përfunduan me vetëvrasjen e tij.

(Kosova Sot)