Dështakët e drejtësisë shpërblehen nga mafio-oligarkët - Lajme - Kosova Sot
Dështakët e drejtësisë shpërblehen nga mafio-oligarkët

Dështakët e drejtësisë shpërblehen nga mafio-oligarkët

NUK KA ADRESIM TË PËRGJEGJËSISË NË GJYKATA DHE PROKURORI

Preteni: Krimi po lulëzon e bartësve të institucioneve të drejtësisë po u rriten pagat dhe privilegjet!

"Mungesa e përgjegjësisë dhe llogaridhënies ka bërë që të thellohet kaosi në sistemin e drejtësisë. Prokurorët dhe gjyqtarët, në vend që të ndëshkohen për dështimet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, gradohen në poste më të larta nga oligarkët në pushtet", thotë analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot"

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët politikë po e shohin me shumë shqetësim faktin publik të abuzimeve të mëdha që po ndodhin dhe po tolerohen në drejtësinë kosovare. Shqetësues paraqitet fakti pse, pavarësisht skandaleve të mëdha, askush deri më sot nuk dha dorëheqje e as nuk iu nënshtrua llogaridhënies për sistemin e drejtësisë të katandisur si është më së keqi. Analistët dhe ekspertët e fushës theksojnë se në një vend normaldikush duhej të jepte përgjegjësi për kaosin në drejtësi. Sipas tyre, mbetet për keqardhje të madhe dhe për ta ndjerë frikën qytetari i zakonshëm nga drejtësia e kapur, se si po injorohet sundimi i ligjit nga e tërë klasa politike në Kosovë, qoftë pozitë, qoftë opozitë, dhe pikërisht ky fakt i ka bërë qytetarët të pashpresë e pa perspektivë, sidomos kur bëhet fjalë për mosndëshkimin e pushtetarëvetë inkriminuar dhe nëntokës kriminale të lidhur me klanet e korruptuara , të instaluara gjithandej në institucione e parti politike. Derisa nuk kemi një ndryshim dhe reformim substancial në drejtësi as që mund të flasim se deri kur nëntoka e lidhur me mafio-politikanë të inkriminuar do të luajnë dhe do ta sundojnë sistemin e drejtësisë në vendin tonë. 

ZEQA: ASKUSH NUK U ËSHTË NËNSHTRUAR LLOGARIDHËNIES DHE PËRGJEGJËSISË KUSHTETUESE!

Analisti politik Florim Zeqa thotë se, edhe përkundër aferave të shumta korruptive dhe skandaleve të njëpasnjëshme në sistemin e drejtësisë, askush deri më sot nga drejtuesit e KGJK-së, KPK-së, përkatësisht gjykatësit e prokurorët nuk i janë nënshtruar llogaridhënies dhe përgjegjësisë kushtetuese. "Mungesa e përgjegjësisë dhe llogaridhënies kanë bërë që të thellohet kaosi në sistemin e drejtësisë. Prokurorët dhe gjyqtarët, në vend që të ndëshkohen për dështimet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, gradohen në poste më të larta nga oligarkët në pushtet", theksoi ai. Sipas Zeqës, në rrethana normale, për gjendjen alarmante në sistemin e drejtësisë, përgjegjësit do të ndëshkoheshin prej kohësh."Mirëpo kjo nuk po ndodh për shkak të koordinimit të veprimeve mes pushtetarëve të inkriminuar dhe vartësve të tyre në sistemin e drejtësisë. Injorimi i sundimit të ligjit nga e tërë klasa politike në Kosovë, si ajo në pozitë, ashtu edhe ajo në opozitë, është tregues i inkriminimit të gjerë të skenës politike kosovare. Kjo i ka bërë qytetarët të ndihen të zhgënjyer, të pashpresë e të paperspektivë në vendin e tyre", potencoi ai. "Mosndëshkimi i pushtetarëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale me klanet e korruptuara, të instaluara gjithandej në institucione e partive politike, ka bërë që qytetarët të mos i besojnë më asnjë partie politike dhe asnjë lideri partiak. Përderisa nuk ndodh ndryshimi substancial në skenën politike, nëntoka e lidhur me mafio- politikanë të inkriminuar do të luajnë dhe do ta sundojnë sistemin e drejtësisë dhe jo vetëm do të tallen me qytetarët e vendit, duke ua mohuar drejtësinë dhe liritë njerëzore në vendin e tyre. Që kjo e keqe të ndërpritet sa më parë, kërkohet ndërgjegjësim dhe vetëdijesim i përgjithshëm i popullatës, për ndëshkimin e klasës politike të inkriminuar, e shndërruar tashmë në klasë sunduese të popullatës së varfër e të nëpërkëmbur në shtetin për të cilin u derdh shumë gjak e u bënë sakrifica të panumërta", vijoi më tej Zeqa për "Kosova Sot".

PRETENI: SHTETI PO FALIMENTON E 'DREJTËSIA' PO NA FRESKON ME LIGJE!

Ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, ka theksuar për "Kosova Sot" se sistemi çfarë e ka Kosova në drejtësi, në vend të ecjes para, po shkon mbrapa."Sistemi i drejtësisë jo që nuk po shënon progres, por ai po katandiset drejt një humnere fatale dhe pa shpresë. Kjo kastë politike po interesohet që të mos kalojë asnjë ditë pa u shënuar më së paku një skandal kundërligjor", u shpreh ai."Krimi është në rritje, fatkeqësisht, kjo nuk po ndodh nga shkelësit individualë, por nga titullarët e institucioneve me vendime joligjore dhe me dëme milionëshe", potencoi Preteni."Nga shkeljet ligjore nuk është imune as Gjykata Kushtetuese dhe të gjitha të tjerat, të cilat janë vë në garë se kush po e shkel ligjin më shumë dhe kush po e dëmton buxhetin më lart. As gazetaria më profesionale nuk po arrin që t'i evidentojë të gjitha, sapo ndodh një krim, shkruhet një ditë dhe menjëherë të nesërmen ndodh krimi tjetër që e bëjnë edhe opinionin e mediet që të harrojmë të djeshmin. Shteti po falimenton e 'drejtësia' po na freskon me ligje, ky qenka problemi! Jo, jo, kjo është maska, kjo është mjegulla. Krimi po lulëzon e bartësve të institucioneve të drejtësisë po u rriten pagat dhe privilegjet", tha Preteni për "Kosova Sot". 

"Është koha e fundit që të tregohet një vullnet i mirëfilltë edhe nga vetë prokurorët, që të shkëputen nga ndikimet e grupeve kriminale të interesit dhe nga politika e inkriminuar dhe të merren seriozisht me fillimin e hetimit të rasteve serioze më me prioritet, duke përfshirë edhe rastet e profilit të zyrtarëve të lartë publikë, që na e kanë krijuar ndjenjën dhe bindjen e plotë se ata janë të pandëshkueshëm. Përndryshe do të vazhdohet jo vetëm me perceptimin se drejtësia po dështon, por ky në fakt është vetë realiteti", tha Naim Kelmendi për "Kosova Sot

Inkriminimi i sistemit

Sipas analistit dhe publicistit Naim Kelmendi, derisa mafio-oligarkët e pushtetit e politikës dhe ata të nëntokës kriminale e kanë ndikimin dhe kontrollin e tyre në drejtësinë kosovare, nuk mund të presim të kem drejtësi reale dhe drejtësi të pandikuar."Edhe kjo vjen krejt në ndërlidhje me njerëzit e korruptuar të drejtësisë, kështu që këta, duke pasur ndikimet e veta në drejtësi, thjesht arrijnë kështu ta sfidojnë drejtësinë, mbase edhe duke fshirë dosjet e krimit dhe thjesht janë në gjendje të bëjnë ç'të duan me drejtësinë, e cila fatkeqësisht është në duart e tyre apo në duart e vetë krimit të organizuar dhe strukturës së inkriminuar e të korruptuar pushtetare", theksoi ai."Duke qenë kështu gjendja në të vërtetë njerëzit e nëntokës kriminale dhe të pushtetit të inkriminuar arrijnë të kenë kontrollin e tyre dhe ndikimin e pakontestuar mbi çdo gjë, madje duke i zotëruar edhe informacionet në polici, në gjykata e prokurori, përt'i dekonspiruar dhe zhvlerësuar të tillat që ndërlidhen edhe me procese serioze hetimore kur bëhet fjalë për ndonjë aferë të nivelit të lartë të krimit e korrupsionit. Ky është një realitet shqetësues për vetë shtetin e së drejtës në Kosovë, i cili de-fakto nuk ekziston", tha Kelmendi për 'Kosova Sot'. Sipas tij, dihet fare mirë që shumë vepra serioze penale janë lënë në mënyrë "taktike" që të parashkruhen nga prokuroria, meqë kanë pushuar gjatë dhe nuk janë ngritur akuzat me kohë. "Fatkeqësisht kjo formë e manipulimit me krimin e korrupsionin ka ndikuar edhe në ndjenjën tek qytetarët tanë se njerëzit e caktuar, për shkak të pushtetit që kanë mbi vete dhe përreth tyre, në shërbim të tyre, janë edhe mbi drejtësinë. Kjo i bie që në realitet është e kundërta e asaj që proklamohet si parim bazë i drejtësisë 'askush nuk është mbi ligjin'", vijoi më tej Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas tij, perspektiva evropiane e Kosovës po mjegullohet dhe vonohet me këtë drejtësi të kapur.

(Kosova Sot)

10 orë e 8 minuta më parë
19/08/18