Diplomati gjerman e arsyeton në mënyrë brilante festimin e Xhakës e Shaqirit me shenjën e shqiponjës (Foto)

  • 24 June 2018 - 19:40
Diplomati gjerman e arsyeton në mënyrë brilante festimin e Xhakës e Shaqirit me shenjën e shqiponjës (Foto)

Ish-ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Ernst Reichel, i ka dalë në mbrojtje futbollistëve shqiptarë të Zvicrës, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, pasi që të dy festuan duke bërë shqiponjën dykrenore me duart e tyre, pasi shënuan nga një gol ndaj Serbisë, në Kupën e Botës 2018, në Rusi.

Reichel, tani ambasador gjerman në Ukrainë, i ka quajtur të pakuptimta reagimet e Serbisë ndaj veprimeve të Xhakës e Shaqirit në Kaliningrad, të premten.

“Unë nuk arrij të kuptoj pse dikush ofendohet për shkak se dy lojtarë të Zvicrës e kanë bërë shqiponjën shqiptare pas golave të tyre”, është shprehur ai.

“Shqiponja dykrenore është simbol i flamurit shqiptar (dhe i disa flamujve të tjerë)”, ka kujtuar diplomati gjerman.

“Ta bësh këtë shenjë nuk është asgjë më ndryshe sesa ta shfaqësh flamurin. Dhe, flamujt shfaqen në çdo ndeshje ndërkombëtare”, ka thënë Reichel.

“S’ka asgjë të keqe në shfaqjen e krenarisë me vendin tënd ose me origjinën tënde”, ka përfunduar diplomati. 

 

Image

 

(Kosova Sot)