Kelmendi:Kosovë nuk ka sundim të rendit e të ligjit

  • 25 June 2018 - 15:26
Kelmendi:Kosovë nuk ka sundim të rendit e të ligjit
"E keqja është se as kjo opozitë aktuale me sjelljen e saj inerte nuk po e entuziazmon fare askënd, prandaj ky popull është i pashpresë. Prandaj, me të drejtë dyshohet se shoqëria kosovare do ta ketë më së vështiri që të çlirohet nga kjo klasë politike tërësisht e inkriminuar dhe në shërbim të nëntokës kriminale", tha Jeton Kelmendi për "Kosova Sot" 

Eksperti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot" tha se për fajin e klasës politike dhe pashmangshmërisht të pushteteve të pasluftës deri më sot në Kosovë nuk ka sundim të rendit e të ligjit dhe kjo ka bërë që në Kosovë realisht po sundon krimi i organizuar dhe kështu ia ka humbur shpresën qytetarit të Kosovës për një jetë më të mirë e për zhvillim ekonomik e mirëqenie."Këtë degradim e ka bërë politika e inkriminuar dhe kjo klasë politike e korruptuar dhe e lidhur ngushtë me krimin, duke e kapur shtetin në të gjithë segmentet e tij, duke e kthyer shtetin de-fakto në shërbim të interesave të tyre e të oligarkisë kriminale", u shpreh ai."Është pikërisht politika e inkriminuar, e cila e ka sjellë shoqërinë edhe në gjendje depresioni dhe duke mos parë asnjë perspektivë për jetë dhe mirëqenie, prandaj qytetarët po kërkojnë rrugë alternative për të ikur nga Kosova, pikërisht për faktin se së pari këtu sundojnë krimi i organizuar dhe korrupsioni, të cilët shtetin e Kosovës e kanë kthyer në një shtet pa shtet, apo thënë ndryshe në një shtet të krimit, pa perspektivë jetësore, pa punësim e pa zhvillim ekonomik", vijoi më tej Kelmendi.

(Kosova Sot)