Fundosja ekonomike përshpejtohet me Qeverinë "Haradinaj"

  • 14 August 2018 - 08:06
Fundosja ekonomike përshpejtohet me Qeverinë
Thellimi i deficitit tregtar nga viti në vit, që nga pas lufta e deri më sot, por edhe në këtë 6 mujor të këtij viti, sikur po e dëshmon qartazi se as Qeveria "Haradinaj" nuk po është në gjendje të zhvillojë prodhimin vendor. Ndërkaq, sipas përfaqësuesve të Shoqatës së bizneseve dhe analistëve të ekonomisë, po thuhet se edhe Qeveria "Haradinaj", sikurse edhe ato paraprake, ka mbetur një Qeveri e importit dhe monopoleve kriminale që mbajnë biznesin falë lidhjeve kriminale, mafioze e trafikuese me pushtetin e tejinkriminuar në vend. Kosova ka një deficit tregtar tre miliardë euro në vit, që po vjen duke u rritur, ndërsa fuqia eksportuese e bizneseve kosovare mbetet e vogël dhe tregu i nënshtrohet informalitetit dhe mafisë së lidhur me pushtetin. Lideri i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, për gazetën " Kosova Sot ", tha se deficitet tregtare që nga pas lufta e deri tash nuk ka arritur që ta ulë asnjë qeveri, por për fat të keq janë në vazhdimësi ato janë në rritje. "Kjo e bën Kosovën e pasluftës një treg interesant për importuesit, por jo edhe për prodhimin dhe veç saj e bën Kosovën që të jetë eksportuesi më i madhe i parave të gatshme, që janë më të shumtat në Ballkan", theksoi ai. Zhvillimi ekonomik nuk është prioritet qeveritar Sipas Shahinit, qeveritë në Kosovë nuk e kanë prioritet zhvillimin ekonomik vendor, por agjenda e tyre është e ngarkuar me çështje të ndryshme. "Për AKB-në, akcila Qeveri që nuk e ka prioritet zhvillimin ekonomik të vendit, ajo nuk ka as suksese në qeverisje, e as në ekonomi. Prandaj, Kosovës po i mungon një Qeveri që e ka prioritet zhvillimin ekonomik të vendit që e ka prioritet prodhimin dhe e ka prioritet rritjen e eksportit dhe të punësimit", vlerësoi ai. "Deklarativisht, të gjitha qeveritë e pasluftës po deklarohen se ato e kanë prioritet prodhimin, por numrat dhe shifrat po tregojnë se neve si një shtet i ri që jemi tashmë jemi bërë të varur nga importi dhe ky import është duke na sjellë edhe inflacionin", potencoi Shahini. Eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri, për gazetën "Kosova Sot", tha se Kosova është një shtet edhe më "sui generis" sesa vetë pavarësia e saj. "Një shtet ku ekonomia udhëhiqet nga politika ditore, por edhe kjo politikë udhëhiqet nga politikanë me interesa ditore, me parti politike pa orientim të qartë politik dhe ekonomik. Me parti dhe liderë që plot gojën e kanë orientim nga tregtia e lirë dhe kapitaliste, ndërsa në praktikë veprojnë me logjikën orientimit socialist. E them këtë, sepse qeverisjet e deritanishme janë orientuar në buxhete të konsumit ku hyjnë pagat e nëpunësve publikë shumë më të larta sesa në sektorin privat, ky lloj absurdi ndodh vetëm në Kosovë", u shpreh ai. Monopolet, goditje e rëndë e tregut të lirë Analisti Beqiri thotë se argument tjetër se sa qeveritë tona punojnë sipas ligjeve të tregtisë së lirë tregon më së miri se si i orientojnë politikat e tyre zhvillimore, ku shumica të hyrave në arkën e shtetit janë të orientuara nga dogana dhe më e rënda, që më lehtë gjejnë konsumatorin produktet e importuara sesa prodhimi vendor. "Vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës për vazhdimin e monopolit një kompanie të vetme tregon për rrugën e keqe që ka marrë ekonomia kosovare, këto ditë ia kanë dhënë edhe të drejtën e kryerjes së A-testeve, si dhe me Udhëzimin e ri Administrativ i kanë hapur rrugë vazhdimit të monopolit në homologim edhe pas 2019-ës, çka e shkel rëndë konkurrencën e lirë, por edhe ekonominë e tregut,prandaj kjo edhe po na tregon se sa e vështirë është të bësh biznes në Kosovë, ngase nuk mjaftojnë krekosjet e politikanëve se kemi ligjet më të mira në botë, përderisa ato ligje janë vetëm në letër", potencoi ai. "Pasi shkatërruan PTK-në, 'Trepçën', konkurrencën e lirë, në pritje të shkatërrimit të ndonjë sektori tjetër, mjerë populli në dorë të kujt e ka lënë ekonominë. Sipas një analize të Institutit GAP, nga monopoli në homologim, në periudhën 2009-2015, konsumatorët kosovarë kanë humbur së paku 2.5 milionë euro", ka thënë më tej Beqiri. Ndërsa eksperti i fushës së Integrimeve Evropiane në sektorin e ekonomisë Nëntor Shaqiri, për gazetën " Kosova Sot', tha se zvogëlimi i deficit tregtar varet nga disa faktor siç janë: aplikimi i politikave të reja fiskale, rritja e subvencioneve të shtetit ndaj prodhuesve, që do t'i bënte produktet tona më të konkurrueshme. "Një faktor tjetër mjaft i rëndësishëm për zvogëlimin e deficit tregtar, do të ishte edhe sensibilizimi i popullatës për të konsumuar prodhime vendore, ku njëkohësisht do të prodhonte efekte pozitive në zvogëlimin e shkallës së papunësisë në vendin tonë", ka vlerësuar ai. Potencialet ekonomike në duart e oligarkëve Eksperti i ekonomisë Mustafë Kadriaj, për gazetën " Kosova Sot", tha se në mungesë të strategjive dhe vullnetit për të kthyer Kosovën në një vend prodhues ku dihet që Kosova ka pasuri natyrore me reliev të përshtatshëm për rritjen dhe zhvillimin e shumë kulturave bujqësorë me një turizëm malor si dhe me pasuri nëntokësore e para në rajon dhe konkurrentë në nivel evropian dhe botëror, për fat jo të mirë, me këtë oligarki politike Kosova është kthyer në një vend importues. Sipas gjendjes së tanishme, ne nuk dimë të prodhojmë as për vete e nuk bëhet fjalë për treg të jashtëm. "Është e papranueshme që Kosova me këtë potencial të pasurive natyrore dhe nëntokësore të kemi deficit të madh tregtar, ku importi është dominues ndaj eksportit me një hendek të madh. Pra, kjo Qeveri më së paku e ka problem përmirësimin e eksportit, por vetëm t'i ofrojë vetes komoditet dhe paga marramendëse, njëherësh duke nënçmuar qytetarin e varfër, ku dihet që Kosova si rezultat i keqqeverisjes është vendi më i varfër në rajon dhe më gjerë", u shpreh ai. Kurse eksperti tjetër i ekonomisë Artan Haziri, për gazetën "Kosova Sot', tha se sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), të prezantuar në raportin "Statistikat e Tregtisë së Jashtme, qershor 2018", thuhet se në këtë muaj deficiti tregtar është rritur për 23.5 për qind krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2017. "Kjo tregon se çdo ditë e më shumë ne jemi duke u fundosur. Qeveria 'Haradinaj' nuk po përdor politika për nxitjen e prodhimit vendor, në mënyrë që pastaj paraja të mbetet në shtetin tonë dhe me këtë të rritet edhe punësimi. Mirëpo, mafio- oligarkia ka krijuar lidhje me bizneset dhe nuk iu intereson pozita tregtare e shtetit", ka vlerësuar Haziri. Lidhjet biznes-politikë, fatale për qytetarët Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot', tha se thellimi i deficitit tregtar asnjëherë nuk ka qenë temë e Qeverisë aktuale dhe atyre që kanë qenë më përpara. "Prodhimet vendore që nga koha kur mafio-oligarkët e kanë marrë Kosovën në dorën e tyre përmes politikanëve të korruptuar, këto prodhime asnjëherë nuk e kanë pasur një shans të futen në treg, dhe nëse janë futur ka pasur pasoja nga Inspektorati i Tregtisë dhe Industrisë. Prandaj, bizneset e mëdha dhe disa të mesme janë të lidhur ngushtë me politikanët, të cilët në një farë forme apo mënyre po përfitojnë në mënyrë të fshehur", u shpreh ai. "Duhet të merren masa adekuate për sistemimin dhe simulimin e bizneseve, të cilët dëshirojnë të prodhojnë produkte vendore", ka thënë Grapci. Ndërsa, analisti Hazbi Kadriu, për "Kosova Sot", tha se vetë thellimi i deficitit tregtar me një ekonomi të brishtë është tregues i mosfunksionimit të një politike zhvillimore në vend. "Duke pasur parasysh se qeveritë e njëpasnjëshme nuk po kanë plane apo politika të mirëfillta për rritje të numrit të bizneseve vendore, po ashtu edhe prurje nga jashtë, po dëshmohet çdo herë që qeveritë për interesa të ndryshme partiake e klanore nuk kanë interesim për fuqizimin e hapjeve për biznese të reja në vend, por si gjithnjë vetëm importe e importe nga vendet e ndryshme, e për fat të keq, edhe nga shteti që asnjëherë nuk ia ka dëshiruar dhe nuk ia dëshiron vendit tonë të mirën, pra nga shteti serb", theksoi ai. Analisti Kadriu thotë se, duke pasur parasysh që një politikë e mirëfilltë do të kishte të gjitha ndikimet direkte në ekonominë e vendin, rritjen e buxhetit, rënien e papunësisë dhe në përmirësimit e të gjithë faktorëve relevantë për zhvillimin ekonomik të vendit, prapëseprapë nuk po kemi vullnet pozitiv në këtë drejtim. Sipas tij, ndryshimet ende nuk po shihen.