Partneriteti mafio-oligarkik lulëzon ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë

  • 17 August 2018 - 07:37
Partneriteti mafio-oligarkik lulëzon ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë
Monopolet, krimi dhe trafiqet, e kanë ngulfatur zhvillimin në të dyja shtetet

Bazuar në vlerësimet e analistëve politikë dhe të ekonomisë, thuhet se që nga paslufta e deri më sot është shtrirë partneriteti kriminal i grupeve të mafio-oligarkëve në Kosovë e në Shqipëri. Sipas njohësve të rrethanave fatkeqësisht në të dyja shtetet tashmë ka metastazuar korrupsioni dhe krimi i organizuar, kanabizimi dhe kontrabanda. Me këtë rast po përfitohen qindra miliona euro në të dyja anët e kufirit nga mafio-oligarkët e nëntokës kriminale, duke mos lejuar zhvillimin e asnjë biznesi jashtë rrjeteve të tyre mafioze e kriminale. Në këto dy shtete po funksionojnë lidhjet e nëntokës kriminale në mes dy vendeve përmes pushtetarëve të lidhur me mafinë politike dhe mafinë ekonomike. Politikologia Liridona Bislimi, për gazetën "Kosova Sot" tha se në Kosovë dhe në Shqipëri po sundojnë grupet mafioze që janë të lidhura me të dyja qeveritë, me nëntokën, e cila dikton çdo veprim të Qeverisë, duke qenë faktori kryesor në një vend që synon të jetë pjesë e BE dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë. "Aty ku lulëzon krimi vdes drejtësia, e në këto dy shtete drejtësia po duket se ka vdekur, ndërsa demokracia më shumë ka mbetur farsë, duke ndryshuar kursin politik drejt autokracisë", u shpreh ajo.

Sipërmarrjet kriminale udhëheqin shtetet Sipas Bislimit, si Shqipëria ashtu edhe Kosova po vuajnë nga sindroma mafioligarkike, të cilat kanë hequr nga prioriteti i shtetit shumë tema me rëndësi nacionale, duke i zëvendësuar ato me temat që prekin rritjen e benefiteve nga veprimtarit e tyre kriminale. "Shtetet e rajonit, Kosova dhe Shqipëria, me regjimet e tyre janë duke u futur në periudhën e fluksit oligarkik, nga diktatura te sipërmarrjet kriminale. Në dy shtetet shqiptare oligarkët dhe bota e organizuar e krimit e kanë kapur fort shtetin duke bërë që të dyja vendet të rrezikohen seriozisht nga partneriteti kriminal mes mafio-oligarkëve këndej dhe andej kufirit", ka theksuar ajo."Duke parë nivelin e dobët të funksionimit të sistemit të drejtësisë, kapjen e institucioneve të sundimit të Ligjit në nivel kombëtar, në të dyja shtetet në fqinjësi, Kosova dhe Shqipëria janë të vetmet vende në Ballkan dhe Evropë që ende s'po munden përfundimisht të shkëputen nga e keqja, nga mafia dhe s'po janë në gjendje ende t'ia japin grushtin përfundimtar krimit dhe mafisë", vijoi më tej Bislimi. "Kjo është fatkeqësi kombëtare, e cila nuk po mundet dot të çrrënjoset nga ne, duke e bërë popullin viktimë të saj. Luftimi i korrupsionit bëhet shumë pak, për shkak se as brenda vetë sistemit nuk ka filluar të luftohet, e aq më pak të pritet prej sistemit që të luftohet kjo dukuri jashtë saj", potencoi Bislimi. Ndërsa eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për "Kosova Sot" tha se kriminaliteti dhe kontrabanda janë shqetësuese në të dy vendet."Duke qenë dëshmitarë që veprimet kriminale kanë bërë milionerë brenda natës, në grackë të tyre kanë rënë edhe politikanët, si në Kosovë dhe Shqipëri, ku janë dy fakte që të bëjnë me dyshuar e para grupet kriminale funksionojnë pa u penguar dhe e dyta shtimi i shpejtë i pasurisë së politikanëve në të dy anët e kufirit në krahasim me të hyrat e tyre reale", vlerësoi ai. 

Korrupsion dhe kontrabandë Eksperti i ekonomisë, Artan Haziri, për gazetën "Kosova Sot", tha se shteti ynë nuk veproi në asnjë fushë në mënyrën e duhur. "Korrupsioni u fut në çdo sektor, prej komunave, në Parlament e deri në Presidencë. Çdo vit u thelluan dukurit negative, mafio-oligarkia gradualisht i pushtoi territoret në çdo fushë. Korrupsioni mendoje se nuk ka lidhje me ata të shtetit amë (Shqipërisë )", u shpreh ai."Korrupcioni është i shtrirë sidomos në ministritë ku ka donacione të mëdha e milionëshe. P.sh. në Ministrinë e Shëndetësisë, Bujqësisë, është në modë korrupsioni. Ngase në Ministrinë e Shëndetësisë shumë herë ka pasur akuza, por në fund të gjithë të lirë. Duhet të ketë ndryshime thelbësore, që korrupsioni të zvogëlohet ose të zhduket", ka vlerësuar analisti Haziri. Kurse analisti Bislim Aliu për gazetën "Kosova Sot" tha se pa dyshim partneriteti kriminal i mafio-oligarkëve është shtrirë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, ku fatkeqësisht, në të dyja shtetet ka metastazuar me të madhe krimi i organizuar dhe korrupsioni, kanabizmi dhe kontrabanda. "Që nga paslufta po përfitohen me qindra e miliona euro, në të dyja anët e kufirit shqiptaro-shqiptar nga mafio-oligarkët e nëntokës kriminale, duke mos lejuar zhvillimin e asnjë biznesi jashtë rrjeteve të tyre mafioze e kriminale", u shpreh ai."Lidhjet e nëntokës kriminale funksionojnë në mes dy vendeve, përmes pushtetarëve të lidhur me mafinë politike dhe mafinë ekonomike, pandalshëm në të dyja vendet tona shqiptare dhe kjo vërtet është për keqardhje", theksoi Aliu. 

Shumica në varfëri, pakica e pushtetit në luks Analisti Hazbi Kadriu, për gazetën "Kosova Sot", tha se në përgjithësi gjendja ekonomike dhe mosfunksionimi i shtetit ligjor ndikojnë që grupet e organizuara kriminale të funksionojnë lirshëm në Kosovë e gjithashtu edhe në vendin e Shqipërisë, ku për fat të keq ato ndodhi negative çfarë ndodhin në vendin amë gjithashtu na përcjellin edhe ne."Kosova ende është në fazën e ngritjes së kapaciteteve të sigurisë çdoherë më shumë e më shumë dhe të gjitha këto ndikojnë në krimin e organizuar. Përshtypja në opinion tek qytetarët është se nuk ka ndëshkim të krimit dhe të korrupsionit dhe se Kosova është vend i vogël dhe normalisht secili e njeh secilin dhe normalisht që jo vetëm nga politika që ka ndikim në gjyqësi, por edhe nga vetë qytetarët", u shpreh ai."Në Kosovë ende në aspektin e drejtësisë ligjore, ky institucion është duke çaluar dhe se duhet ende kohë që të bëhet përmirësim i mirëfilltë dhe vendi ynë të jetë shtet ligjor", vlerësoi Kadriu. Ndërsa analisti politik, Arsim Haziri, për "Kosova Sot" tha se stabiliteti i brendshëm në Kosovë gjithnjë është në rënie, këtë e ka mundësuar niveli i dobët i dhe i rëndë i qeverisjes. "Kosova po ashtu edhe Shqipëria janë dy shtete të cilat e kanë të përbashkët paaftësinë për t'i konsoliduar institucionet dhe pikërisht kjo qasje është tejet negative dhe ndëshkuese për proceset vitale, para së gjithash gjendjen e brendshme", ka thënë ai."Nëse iu referohemi politikës sonë, specifikisht asaj që ka përgjegjësi publike, vëren një lloj ambicie të sëmurë drejt zotërimit të publikes, drejt përvetësimit të asaj çka është nën pronësinë e të gjithëve. Procesi i privatizimit dhe klientela që ka bashkëjetuar me atë aq shumë e kanë degraduar vendin saqë e kanë bërë të gatshme për humnerë", potencoi Haziri. Sipas tij, procesi i shitjes së ndërmarrjeve shoqërore gjithkund mund ketë qenë i realizuar, mirëpo jo në mënyrën dhe qasjen siç është zhvilluar në Kosovë. "Pikërisht kjo logjikë e ka bërë vendin të pamundshëm për zhvillim kolektiv, për zhvillim ku prona publike do të ishte në qendër të vëmendjes. Sot shteti ynë ballafaqohet ose përbëhet prej dy kategorive sociale, asaj që përballet dhe kërkon plotësimin e nevojave bazike për jetë dhe asaj e cila ndjek dëshirat dhe luksin", shpjegoi më tutje ai.

Qytetarët kundër partneritetit kriminal Qytetari nga Prishtina, ekonomisti në pension, Ramadan Ferizi, për gazetën "Kosova Sot" tha se partneriteti kriminal i grupeve të mafio-oligarkëve në Kosovë e në Shqipëri ka nisur që nga paslufta e deri më sot dhe ka bërë një shtrirje të gjerë. "Në të dyja vendet shqipfolëse grupet e mafiozëve janë të lidhur me krerët e politikës dhe të shtetit dhe me këtë rast po përfitohen me qindra miliona euro në të dyja anët e kufirit. Nga ndikimet e grupeve mafiooligarkike të nëntokës kriminale ka bërë që mos të lejohet zhvillimi i asnjë biznesi jashtë rrjeteve të tyre mafioze e kriminale. Ngase në këto dy shtete po funksionojnë lidhjet e nëntokës kriminale në mes dy vendeve përmes pushtetarëve të lidhur me mafinë politike dhe mafinë ekonomike në të dy vendet tona shqiptare", u shpreh ai. Ndërsa qytetari tjetër, po ashtu nga Prishtina, Mirsad Krasniqi, tha për "Kosova Sot" se nuk ka asnjë dyshim se që nga paslufta e deri më sot në Kosovë dhe në Shqipëri po lulëzon partneriteti kriminal i mafio-oligarkëve. "Kjo ka bërë që në të dyja shtetet shqiptare tashmë edhe të metastazoi, korrupsioni, krimi i organizuar dhe kanabizimi", theksoi ai. Sipas Krasniqit, ajo që po ndodh me organet e drejtësisë në dy vendet tona tregon se kjo është një drejtësi e dirigjuar nga politika që nga paslufta e deri më sot. 

(Kosova Sot(