Ish-Prokurori Blakaj: Lumezi ka provuar të më frikësojë për aferën “Pronto“

  • 20 August 2018 - 17:17
Ish-Prokurori Blakaj: Lumezi ka provuar të më frikësojë për aferën “Pronto“

Ish-prokurori Elez Blalaj ka thyer heshtjen duke rrëfyer në nga një manipulimet që janë bërë në Prokurorinë e Shtetit, ndërsa e ka akuzuar rëndë Kryeprokurorin Aleksandër Lumezi se ka ndërhyrë në punën e tij kur bëhej fjalë për politikanët dhe për aferën “Pronto”. Thotë se po ashtu ka marrë kërcënime të shumta.

Blakaj, i cili po hetonte listat e veteranëve të rrejshëm dhe kishte lënë gati aktakuzën, ka treguar arsyet e dorëheqjes së tij.

Ka thënë se ka marrë shumë kërcënime gjatë hetimit që po bënte për listat e veteranëve. Ndërsa ka thënë se në punën e tij e ka penguar edhe Kryeprokurori Lumezi.

“..i njëjti e ka hapur edhe temën e rastit “Pronto”, i cili ka provuar të më frikësoj se nese nuk rishikohet aktakuza e dërguar në gjykatë, do të me dërgoj në komision disiplinor... ndersa unë iu kam përgjigjur “Lirisht të parin dërgom mua, se kam problem fare”, ka shkruar Blakaj në letrën e tij për kryeprokurorin e shtetit.

"Sinqerisht nga nga ai moment jam shokuar për nivelin e tij, e për me shumë edhe gjatë një takimi të përbashkët pas një jave, në zyrën e tij, përseri për rastin “Pronto” ku ishte i pranishëm edhe z.Reshat Millaku, znj. Drita Hajdari, z. Lulzim Sylejmani, i njëjti i nevrikosur kërkonte llogari, madje edhe duke uluritur pse kemi ngritur aktakuzë, e poashtu kërkonte të rikthehet apo rishikohet aktakuza e cila ishte dërguar në gjykatë!!! Në këtë takim i njëjti pa fije turpi na tregonte se si është takuar me disa nga njerëzit tani të akuzuar (siç ishte Besim Beqaj) dhe se rezultati i punës nuk i pëlqente duke urdhëruar njërin nga prokuroret e zyrës se tij – z. Lulzim Sylejmani TË MBANTE NJË SHENIM ZYRTAR, sepse disa nga NE nuk po pranonim ta rishikonim vendimin e marrë lidhur me aktakuzën e cila veç ishte derguar në gjykatë!", ka rrëfyer Blakaj.  

Ai ka treguar se Lumezi i ka dhënë presion shtesë duke e qortuar atë pse ka intervistuar Kadri Veselin përgjatë hetimëve  të tij për listat e veteranëve, edhe pse kryeparlamentari ishte intervistuar nga Blakaj vetëm si dëshmitar.

"Në kulmin e këtyre hetimeve, gjatë intervistimeve, Kryeprokurori i Shtetit z. Aleksander Lumezi urgjentisht me fton në zyrën e tij dhe kërkon llogari pse e kam ftuar në intervistim z. Kadri Veselin (madje edhe si deshmitar) për rastin e “Veteranëve”, duke u arsyetuar “ SE ATA KANË IMUNITET NUK KA NEVOJË MI THIRR”, ani pse për këtë çështje ia kam bërë të qartë se Gjykata Kushtetuese në interpretimin e saj “asnjëherë, askujt, në asnjë rrethanë apo cilësi nuk i ka dhënë imunitet kur bëhet fjalë për vepra penale”, ka shkruar ish-prokurori.

 

(Kosova Sot)