Qentë endacakë vazhdojnë të jenë problem në Kosovë

  • 27 August 2015 - 21:08
Qentë endacakë vazhdojnë të jenë problem në Kosovë

Qentë endacakë vazhdojnë të sillen lirshëm nëpër rrugët e Kosovës, derisa kjo çështje është shndërruar në problem permanent për banorët.

Banorët e Fushë Kosovës thonë se kanë frikë të dalin në rrugë nga qentë endacakë. Ata i bëjnë thirrje Komunës të ndërmarrë masa para se të ndodhë edhe një vdekje tjetër.

Asociacioni i Komunave të Kosovës 1 vit më parë e ka përgatitur një rregullore për qentë dhe macet endacake, me të cilën parashihej që komunat bashkërisht të hapnin qendra strehuese për to. Por jo që nuk janë hapur qendrat, por rregullorja as që është miratuar nëpër kuvende komunale. Komuna e Fushë Kosovës po ecën me hapa të ngadalshëm në këtë drejtim, raporton KTV.

Zëdhënësi, Ali Topalli, ka thënë që rregulloren do ta paraqesin në Kuvendin komunal për miratim. Në anën tjetër, në Komunën e Prishtinës thonë që kjo rregullore fillimisht duhet të miratohet nga kryeministri Mustafa. Derisa institucionet të dakordohen e të veprojnë për rregulloren, problemi i qenve endacakë, sipas qytetarëve, do të jetë i madh, sidomos kur të bien temperaturat.