Jahjaga në Britani flet për rolin e gruas police

  • 27 August 2015 - 23:52
Jahjaga në Britani flet për rolin e gruas police

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në fjalimin e saj në hapjen zyrtare të Konferencës së 53-të Vjetore të Asociacionit Ndërkombëtar të Gruas në Polici që po mbahet në Cardiff të Wales në Britaninë e Madhe. IAËP sivjet shënon 100 vjetorin e themelimit të tij, është shprehur krenare me rolin e gruas në polici dhe me imazhin që gratë ia kanë dhënë këtij institucioni.

“Jam krenare që shoh këtu kaq shumë gra, oficere të zbatimit të ligjit nga mbarë bota. Të udhëhequra nga principet fundamentale të demokracisë, pjesëmarrjes, barazisë, zhvillimit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët njëlloj, ju e keni bërë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive njerëzore mision tuajin jetësor”.

“Ne, gratë police, luajtëm një rol qenësor në ndryshimin e imazhit dhe në shndërrimin e Policisë së Kosovës në një nga institucionet më të besueshme të vendit, me numër më të madh të të punësuarve femra.

“Ne ndryshuam perceptimin të cilin qytetarët e kanë ndaj njerëzve në uniformë, duke e zëvendësuar frikën të cilën ata e ndjenin më parë me besim dhe bashkëpunim, duke i bërë njerëzit në uniformë pjesë të pandashme të sigurisë së secilit qytetar”, ka thënë presidentja, bëhet e ditur përmes një komunikate për media nga zyra e saj”.

Gjatë fjalimit Jahjaga gjithashtu ka shpalosur para të pranishëmve përvojat e saj nga koha kur ishte police, duke e vënë theksin mbi faktin se Kosova ishte një vend me një numër të vogël grash të punësuara si dhe arsyet se pse ajo ka vendosur që t’i bashkohet Policisë së Kosovës.

“Ne ishim një numër grash, të cilat mund të na numëroje në gishtat e një dore, të cilat krah për krah burrave, siç e kanë bërë gratë gjithmonë në Kosovë, vendosën të kontribuojnë drejt ndryshimit të drejtimit të historisë së vendit ton”ë.

“Ne ishim të vendosura që të transformojmë imazhin e policisë, nga ajo e cila ishte më parë – një mekanizëm i shtypjes, në atë të një institucioni shumë profesionist në ofrimin e sigurisë qytetarëve të tyre, pa marrë parasysh gjininë dhe prejardhjen etnike të tyre”, ka thënë presidentja.