Sekseri i Vahide Badivukut është dorëzuar

  • 30 August 2015 - 21:57
Sekseri i Vahide Badivukut është dorëzuar

Më herët është raportuar se sekseri i Vahide Badivukut është arrestuar, por tash mësohet se ai është dorëzuar në polici.

Është dorëzuar personi me inicialet I.S. që prej një jave ishte në kërkim të organeve të rendit, pasi që dyshohet se ishte sekseri i prokurores së arrestuar Vahide Badivuku.

Prokurorja e krimeve të rënda nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, ishte arrestuar një javë më parë nga Policia e Kosovës, ndërkohë i është vënë masa e sigurisë prej një muaji paraburgimi, nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Badivku dyshohet se ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe ushtrimi i ndikimit të sanksionuara në Kodin Penal të Kosovës.

Vahide Badivuku, dyshohet të ketë marrë ryshfet në vlerë prej 20 mijë euro, për t’ia liruar disa vetura një personi, që i ishin konfiskuar pas një operacioni të gjerë policorë e që kishte të bënte me fajde, transmeton Klan Kosova.