Po afron momenti i "Revolucionit"

  • 19 September 2018 - 07:55
Po afron momenti i
Me këtë garniturë politike, shpresa është zero

"Qytetarit i ka ardhur koha për një revolucion të "paqes", që të zhbëjnë këtë rrjet të klientelizmit, korrupsionit dhe krimeve të organizuara ekonomike që sot po e sundon Kosovën", tha Ali Hertica për "Kosova Sot" Njohës të rrethanave politike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe qytetarët e vendit, po alarmojnë se kjo politikë e gabuar e kriminale po e çon Kosovën drejt anarkisë totale. Ata pyesin se deri kur politikanët, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, do të bëjnë gjithçka e gjithnjë në kundërshtim me ligjin, vetëm për të mbrojtur interesat e tyre personale, kriminale dhe klanore e mafioze-partiake. Analistët vlerësojnë se pushteti në Kosovë, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, është bërë një lloj sulltanati, ku janë bërë bashkë uzurpokratët, autokratët dhe mafio-oligarkët, të cilët mbajnë çdo gjë nën kontroll dhe pa i lënë vend e mundësi ligjit për të vepruar. Andaj, sipas analistëve dhe qytetarëve tanë, vlerësohet se ka ardhur koha që në Kosovë të ndodhë një "revolucion politik" nga ana e intelektualëve të pastër e të palidhur me krimin, që të marrin fatin e këtij populli në duart e një qeverisjeje të pastër, me ligj e Kushtetutë, apo Kosova do të zbrazet në të gjitha mënyrat, qoftë para apo pas liberalizimit të vizave, sepse i gjithë populli shumicë ka rënë tërësisht në depresion dhe nuk sheh të ardhme për fëmijët e tyre në këtë shtet të mafisë, klientelizmit , korrupsionit e krimit të organizuar.

Dëshpërimi qytetar po rritet
Analisti politik Faton Mehmeti, për gazetën "Kosova Sot", tha se është momenti i fundit që qytetarët e rëndomtë të Kosovës të marrin në duart e tyre fatin e Kosovës, duke qenë se klasa politike në vend e ka degraduar atë në maksimum."Kjo nuk nënkupton që të thyhen institucionet, apo të krijohen trazira, por që të krijohet një revolucion paqësor, pa dallim partie, por me interesin qytetar për ta bërë ketë vend të jetuar. Duke qenë se pushteti si lokal ashtu edhe qendror e kanë degraduar jetën tonë deri aty ku nuk mbahet më, është krejtësisht e arsyeshme që qytetarët të gjejnë forma dhe mënyra të ndryshme që të largojnë nga pushteti këtë klasë politike. Në veçanti klasa politike në pushtet që çdo ditë pasurohet, derisa statistikat flasin për rënie të numrin të të punësuarve, pra varfëria vetëm sa po rritet", u shpreh ai."Bashkë me rritjen e varfërisë po rritet edhe dëshpërimi i qytetarëve, të cilët po shikojnë si mundësi të fundit liberalizimin e vizave, që t'ia mësyjnë botës në kërkim të një jete më të mirë. Nëse nuk ka ndryshim të shpejtë të gjendjes në vend, kam frikë se Kosova mund të dështojë si shtet, pasi qytetarët do të ikin për të ngelur këtu vetëm një grusht i horrave dhe të të pasurve në mënyrë të pandershme", potencoi më tutje Mehmeti.

TË LODHUR NGA MATRAPAZËT E POLITIKËS
"Populli i Kosovës është dëshpëruar nga këta matrapazë që për 19 vjet është mashtruar duke besuar, pasi këta liderë janë thirrur në emër të luftës dhe në vlerat e saj.Tani po shihet edhe kryeministri aktual që ëndërr e tij ka qenë të bëhet kryeministër dhe tani mund të krenohet vetëm që ka rritur pagën e vet dhe të kolegëve të tij", u shpreh Ali Hertica për "Kosova Sot" 

Oligarkët sundojnë me egërsi
Analisti politik Arsim Haziri, për gazetën "Kosova Sot", tha se gjendja e përgjithshme në Kosovë është e paperspektivë dhe për sa shoqërinë tonë e karakterizon ose dominon kjo dhunë sistematike institucionale vendin, konsolidimi mund të jetë vetëm çështje iluzore."Pra, kjo gjendje vetëm çka po e pamundëson dinjitetin e përgjithshëm, vetëm çka po e minimizon dhe po e shton varfërinë kolektive. Tashmë konform këtij realiteti duhet të artikulohet edhe kritika apo reagimi qytetar dhe zgjerimi i masës qytetare ndaj ndëshkimit partiak duhet të jetë sa i shpejtë aq edhe i nevojshëm", u shpreh ai. Sipas analistit Haziri, revolucioni mendor duhet të përcillet me protesta e demonstrata të drejta, ku presioni social nëse pretendohet të organizohet pandalshëm mund të arrihet në disiplinim politik, në disiplinim të drejtë qeverisës. Ndërsa eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe integrimeve evropiane, Ali Hertica, për gazetën "Kosova Sot" thotë se politika e dy niveleve thuajse është bastarduar nga klanet dhe oligarkët së bashku me uzurpatorët e autokratët që po abuzojnë me pushtetin dhe refuzojnë të zbatojnë Ligjin dhe Kushtetutën e Republikës, që është një shembull se si po e degradon tërësisht shtetin dhe qytetarin e saj nga kjo kastë e brishtë politike."Kjo papërgjegjësi po reflekton në të gjitha fushat, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, ku politikanët uzurpatorë e pushtetit për interesat e tyre po bëjnë gjithçka e gjithnjë vetëm në kundërshtim me ligjin, vetëm për të mbrojtur interesat e tyre personale, kriminale dhe klanore e mafioze-partiake. Sulltanati tani janë ngritur në këmbë, ku janë bashkuar me uzurpokratët, autokratët dhe mafio-oligarkët, të cilit nuk po i lënë hapësirë ligjit që të kontrollojë çdo veprim, sepse kjo kastë e oligarkëve po e mbajnë çdo gjë nën kontroll dhe pa i lënë mundësi sistemit ligjor të jetë në veprim", vlerësoi ai. Analisti Hertica thekson se vendi po rrezikohet nga një politikë e papërgjegjshme, e cila Kosovën po e çon vetëm drejt një anarkie totale.  

Populli në hall
Sipas qytetarëve të anketuar pushteti në Kosovë, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, ka degraduar. Qytetari nga Prishtina, dr. Nebih Krasniqi, për gazetën "Kosova Sot", thotë se politika kosovare e pasluftës është përfaqësuar nga diletantët. "Njerëzit që në politikë kanë hyrë si varfanjakë dhe më vonë pas disa viteve në pushtet ata kanë deklaruar me miliona euro pasurinë e tyre, andaj e tëra kjo është një pasqyrë më e mirë e punës së tyre", u shpreh ai. Krasniqi beson që popullata e Kosovës do të këndellet njëherë e mirë dhe në mënyrë plebishitarëve do ta bëjë zgjedhjen e një garniture të re pushtetarësh. Ndërsa qytetari tjetër po ashtu nga Prishtina, Albert Maloku, për "Kosova Sot" thotë se faji është te politika. "Deri më tani me të gjitha këto donacione miliardëshe që kanë ardhur në Kosovën e pasluftës do të mund të hanim me lugë të dukatit, duke iu ofruar të rinjve e të rejave tona kushtet që mos të kenë nevojë të shkojnë jashtë vendit. Por, për fatin tonë të keq, kjo nuk ndodhi andaj e kemi këtë situatë ku jemi, ku çdo i ri kosovar nga mungesa e perspektivës po synon vetëm që të ikën jashtë vendit", ka potencuar ai.

(Kosova Sot)