Ish-i përndjekuri që çoi energji dhe internet në bjeshkë, kush ishte i moshuari që u vra sot

  • 19 September 2018 - 13:17
Ish-i përndjekuri që çoi energji dhe internet në bjeshkë, kush ishte i moshuari që u vra sot

Tahir Bajraktari, 69 vjeç, u qëllua për vdekje mbrëmjen e kaluar në shtëpinë e tij verore në bjeshkët e Malësisë së Tropojës.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Dobërdol, ndërsa misteri ka rrethuar motivet e krimit. Banorët e zonës thonë se 69-vjeçari ishte njeri i qetë dhe pa probleme.

Sipas tyre, ai çdo vit udhëtonte nga Tirana, ku edhe banonte, dhe kalonte pushimet në shtëpinë verore të ndërtuar në bjeshkë, shkruan Shqiptarja.com. Edhe këtë vit, Tahir Bajraktari, me profesion mekanik, do qëndronte për disa ditë në shtëpinë e rindërtuar, ku siç shprehen të afërmit energjinë elektrike kishte mundur ta siguronte vetë përmes një mini-çentrali të ndërtuar pranë fshatit dhe me të cilin furnizonte edhe fqinjët e tij. 

Gjithashtu, ai kishte arritur të siguronte edhe shërbimin e internetit në banesën e tij por edhe të fqinjëve.   

Dy ditë më parë, Tahir Bajraktari udhëtoi nga Tirana në drejtim të vendlindjes së tij, por ky do të ishte udhëtimi i fundit i 69-vjeçari pasi do të qëllohej për vdekje brenda në shtëpinë e tij të pushimit nga fqinji N.L., për arsye të paqarta që policia i specifikon "motive të dobëta"

Tahir Bajraktari vinte nga një familje ish-të përndjekurish nga regjimi komunist, ndërsa kanë qenë të internuar në Lushnje.

Image

 

(Kosova Sot)