Shahini: Procesi i privatizimit nuk e ka pasur prioritet zhvillimin ekonomik dhe punësimin, por vlerën e shitur

  • 19 September 2018 - 16:02
Shahini: Procesi i privatizimit nuk e ka pasur prioritet zhvillimin ekonomik dhe punësimin, por vlerën e shitur
Lideri i AKB-së (Aleancës Kosovare të Biznesit), Agim Shahini, për gazetën "Kosova Sot", thotë se papunësia në Kosovë sipas AKB-së është mbi 35 për qind, kurse ajo e të rinjve mbi 50 për qind dhe kjo është një statistikë e përafërt dhe e saktë, sikurse ajo e ASKsë."Ndërsa statistikat e ASK-së janë të bazuara nga punëkërkuesit që kërkojnë punë kurse statistikat tona kanë të dhënat e shumë qytetarëve që kanë humbur punën dhe të njëjtit më nuk shkojnë të lajmërohen në entet për punësim, për të kërkuar punë. Prandaj, edhe numri i këtyre të papunëve është shumë i madh dhe na ka dalë kjo përqindje prej 35 për qind të të papunëve", potencoi ai. "Në mungesë të investimeve që vazhdimisht kanë shënuar rënie viteve të fundit edhe është normale që të kemi një krizë ekonomike dhe institucionale. Prandaj vëmendja e institucioneve të shtetit të Kosovës ndaj qytetarit duhet që të rritet dukshëm, duke menduar se qytetarët e vendit presin për të bërë biznes dhe për të ardhur deri tek një vend pune dhe së këndejmi duhet medoemos që shteti ta parandalojë eksodin e madh që është duke u përgatitur pas liberalizimit të vizave për qytetarët që po mendojnë ta lëshojnë Kosovën. Atëherë do të kemi një krizë të madhe për punëtorë dhe ulje të shifrave statistikore që nuk do të kërkojnë punë në Kosovë", alarmon Shahini.

PRIVATIZIMI I DËSHTUAR "Procesi i privatizimit nuk e ka pasur prioritet zhvillimin ekonomik të vendit dhe punësimin, por vlerën e shitur. Ky proces eksperimental, që është aplikuar në Kosovë, nuk ka dhënë efektin e vet të dëshiruar. Ngase UNMIK-u nuk ka marrë modele të privatizimit që janë bërë me shumë sukses në vendet e Ballkanit, por e kanë sjellë një model nga Nju Jorku dhe modeli i tyre ka dalë jo i favorshëm për punësimin e të rinjve dhe ka dalë të jetë i dështuar", tha Agim Shahini për "Kosova Sot"