Ekonomia dominohet nga nëntoka kriminale

  • 24 September 2018 - 07:38
Ekonomia dominohet nga nëntoka kriminale
Salihu: Mafio-oligarkët e inkriminuar, pushtetarët dhe parapolitika mbajnë peng zhvillimin ekonomik të Kosovës  

Si çdo sektor tjetër i shtetit paslufte, edhe sektori i ekonomisë dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë është tejdegraduar, duke lejuar që nëntoka kriminale me mafio-oligarkët e inkriminuar, pushtetarët dhe parapolitikën të mbajnë peng zhvillimin ekonomik dhe për rrjedhojë edhe mirëqenien sociale në Kosovën e nëpërkëmbur,thonë analistët dhe ekspertët e fushës së ekonomisë. Sipas tyre, në Kosovë, po qe se kompanitë private nuk kanë pushtetarë të nivelit të lartë pas vetes, ose nuk janë kompani të mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale dhe lobeve të tyre të inkriminuara, bllokohen gati në çdo instancë, duke filluar që nga komunat, administrata komunale, ajo qendrore, tatimore e doganat, licencat e deri tek gjykatat e kapura nga krimi i organizuar. Andaj, sipas analistëve, të gjitha ato biznese po qe se nuk janë në rrjetin e nëntokës kriminale dhe politikës kriminale, po bllokohen ku duhet paguar haraçin dhe duhet punuar për interesat e pushtetarëve të inkriminuar. Së këndejmi nga analistët edhe po alarmohet se si nga nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve dhe pushtetarët e nivelit të lartë, deri te Presidenca, Qeveria etj., por edhe në gjyqësor dhe në prokurori, po i bllokojnë rastet e atyre bizneseve që nuk i kanë nën kontroll dhe nuk u marrin haraç, gjegjësisht përqindje të fitimit të kompanisë. Sipas tyre, e tëra kjo po ndodh pasi nuk ua 'lagin fytin" si mafio-oligarkët e tipit të Shkëlqim Devollit, Adem Grabovcit, si dhe të gjithë pushtetarëve të tjerë, nuk ke shans të marrësh leje ndërtimi në komuna, të marrësh licenca për monopole, të marrësh licenca për banka e shoqëri sigurimi, si dhe çdo dokument tjetër që me ligj institucionet e nivelit komunal apo atij qendror janë të obliguara t'i lëshojnë kur i plotëson kushtet ligjore. "Mafio-oligarkët Kosovën e kanë në dorë dhe e drejtojnë për interesa të tyre personale, kështu që e plaçkitin dhe e varfërojnë buxhetin e shtetit, duke e rrëzuar për vdekje ekonominë e vendit. Sektori i ekonomisë në vend me fajin e kësaj bande është buzë vdekjes. Pra, shkaktarët e shkatërrimit të ekonomisë së vendit nuk duhet kërkuar askund tjetër pos te pushtetarët e majave të shtetit. Nëntoka kriminale e kontrollon ekonominë e vendit", thotë analisti Reshat Badallaj për gazetën "Kosova Sot". Ai shton se nuk kanë shanse që të depërtojnë kompanitë private nëse nuk kanë përfitime bandat e politikës së shtetit, sepse nuk kanë mundësi t'i mbushin xhepat e tyre". Sipas Badallajt, këto banda të politikës shtetërore kanë futur nën kontroll edhe gjykatat dhe nuk kanë guxim të bëjnë zë."Ngase politika i ka duart thellë të përziera në këtë sektor puthadorësh. Pra, vërehet dukshëm se, në qoftë se nuk e kanë haraçin dhe nëse nuk punojnë për interesat e këtyre bandave hajdutësh, ata nuk mund të depërtojnë, sepse janë nën kontroll të rreptë edhe doganat. Pra, ato institucione të nivelit qendror dhe të nivelit lokal, me një fjalë, kontrollohen rreptë nga kanalet e nëntokës kriminale dhe janë në syrin vëzhgues të kësaj llupe banditësh e hajnash", është shprehur Badallaj për gazetën "Kosova Sot". Sipas tij, një gjë nuk duhet harruar dhe duhet kuptuar drejt se mafio-oligarkët e bandës serbiane që po bëjnë hata dhe krim ekonomik në Kosovë janë ata të bandës Devolli dhe klani mafioz "Pronto" dhe disa këlysh banditësh aty rrotull dhe nuk lejojnë as për një milimetër të marrin një leje ndërtimi edhe nëse është jo shumë e rëndësishme licenca, sepse mafio-oligarkët e këtyre banditëve të bandave janë mbi ligjin e Kushtetutën. 

GRAPCI: BIZNESET PRIVATE E KANË PROBLEM TË HAPIN SYTË PA DHËNË HARAÇ
"Pronarët e kompanive private janë vetë fajtorë, për shkak se ata vetë e kanë filluar këtë mënyrë të biznesit, duke u dhënë para pushtetarëve politikë, dhe biznesmenëve me ndikim të lartë institucional, siç është Adem Grabovci. Derisa politika po e shkel Kushtetutën, derisa zyrtarët institucionalë, siç janë Gjykatat, Policia, avokatët, prokurorët, nuk e respektojnë ligjin, derisa korrupsioni nuk shkatërrohet, sektorët privatë të bërjes së biznesit do ta kenë shumë problem që t'i qelin sytë nga falimentimi", ka theksuar analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot".

Kadriaj: Në mungesë të sundimit të ligjit, bizneset e huaja po tërhiqen nga Kosova
Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën "Kosova Sot" thotë se praktika e pashkruar e të bërit biznes, por, për fat të keq funksionale, e ka dëmtuar si nga ana ekonomike dhe në imazh Kosovën në nivel ndërkombëtar, duke bërë që shumë biznese të huaja të tërhiqen nga Kosova, po ashtu edhe shumë biznese vendore të falimentojnë si rezultat i mafiooligarkisë në vend."Për fat të keq, është një realitet që po e fundos të ardhmen e Kosovës, andaj edhe është emergjente që të merren masa nga qeveria aktuale përmes mekanizmave të saj, po ashtu edhe drejtësia në vend, sepse kjo praktikë e të bërit biznes shkon në mullirin e atyre shteteve që e kontestojnë shtetësinë e Kosovës, kështu që patriotizmi më i madh është funksionimi i shtetit ligjor", është shprehur ai. Kadriaj thekson se kërkohet që Qeveria aktuale t'i kryejë detyrat ligjore, sepse ata edhe marrin paga nga taksapaguesit për krijimin e sigurisë e zhvillimit normal të jetës dhe të bërit biznes në një konkurrencë të plotë dhe fer. Ndërsa analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot" theksoi se sektori i ekonomisë dhe zhvillimit ekonomik ka degraduar në Kosovë me një temp shumë të shpejtë, ngase këto 4 vitet e fundit, nëse i krahasojmë vitet 2008-2014, sektori i ekonomisë dhe zhvillimit ekonomik ka qenë thuajse një pikë e zezë në mes të oqeanit, por për këto 4 vite të fundit ky degradim është rritur thuajse për 20-35 për qind, që do thotë 20-35 për qind të bizneseve private janë mbyllur shkaku i nëntokës kriminale. 

PUSHTETARËT BLLOKOJNË BIZNESET QË NUK I KANË NËN KONTROLL "Koha po dëshmon se kush nuk e paguan haraçin për nëntokën kriminale, mafio-oligarkët dhe pushtetarët e nivelit të lartë, e kanë kot, sepse ata bllokojnë biznese që nuk i kanë nën kontroll. Po qe se nuk ua 'lag fytin' përmes ryshfeteve të mëdha, sikurse që janë mafio-oligarkët e klanit 'Pronto' e klaneve të tjera, si dhe të gjithë pushtetarëve të tjerë, nuk ke asnjë shans që të marrësh licenca e as leje ndërtimi nëpër komunat e Kosovës, të marrësh licenca për monopole, të marrësh licenca për banka, si dhe çdo dokument tjetër që me ligj institucionet e nivelit komunal apo atij qendror janë të obliguara me ligj t'i lëshojnë për bizneset e rregullta ligjore edhe kur i plotësojnë kushtet ligjore", theksoi për gazetën "Kosova Sot" deputeti Salih Salihu

Neziraj: Të luftohen haptazi monopolet
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën "Kosova Sot" vlerëson se Qeveria "Haradinaj" tani duhet të jetë konkrete, që të bëjë ndryshime rrënjësore dhe të merret më shumë me zhvillimin ekonomik të vendit. "Prandaj, për dallim nga qeveritë e mëhershme, kryeministri Haradinaj nuk guxon të ketë qeveri rutinë, sikur kanë qenë qeveritë deri më tani. Ajo duhet të jetë një qeveri dinamike dhe zhvillimore dhe të jetë kundër çdo të keqe që e ka kapluar këtë vend. Ne presim nga qeveria 'Haradinaj' që të kemi zhvillim të hovshëm ekonomik, i mbështetur në potencialin njerëzor dhe pasuritë natyrore të vendit tonë", është shprehur ai. Sipas Nezirajt, Haradinaj duhet të bëjë ndryshime rrënjësore në ekonominë vendore dhe të luftojë haptazi kundër monopoleve dhe krimit të organizuar në ekonomi, si dhe të krijojë një mjedis institucional dhe biznesor, të barabartë për të gjithë njëjtë. "Haradinaj duhet të mundësojë mobilizim maksimal të potencialit financiar të Republikës së Kosovës dhe të nxisë investimet e jashtme në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit", është shprehur ai. Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu, thotë për "Kosova Sot" se të bësh sot biznes sot në Kosovë, të merresh me një biznes, vërtet është shumë e vështirë dhe gati e pamundur, sepse në Kosovën e pasluftës e deri më sot po vazhdon fenomeni i dominimit të nëntokës kriminale që në bashkëpunim me mafio-oligarkët e inkriminuar, pushtetarët dhe me parapolitikën, ta mbajnë peng dhe në duart e tyre tërë zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe jo vetëm.

Maloku: Mbijetojnë vetëm disa kompani që janë monopoliste
Përfaqësuesi i bizneseve, afaristi Ramadan Maloku, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për "Kosova Sot" thotë në vendin tonë vetëm disa kompani që janë monopoliste dhe që ishin të lidhura me garniturat e pushtetarëve të pasluftës kanë pasur përfitime dhe askush tjetër. "Liria dhe pavarësia e Kosovës, që kanë qenë ëndërr e shumë brezave dhe kanë kuptim vetëm atëherë kur qytetari i vendit dhe bizneset që afarojnë jetojnë me dinjitet dhe perspektivë, pra që të ketë një ekonomi me treg të lirë dhe jo si kanë qenë shumica e qeverive të deritashme që ishin për dikë nënë e për dikë njerkë", është shprehur ai. Sipas Malokut, me të drejtë vendi ynë në sytë e vendeve perëndimore shihet si vend ku nuk sundon ligji, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar janë mjaft prezentë. "Ryshfeti i të mëdhenjve për pushtetarët ka qenë gjithmonë prezent që nga paslufta dhe kjo ka bërë që të shkatërrohen bizneset e vogla dhe të mesme, duke i lënë anash dhe mos u dhënë mundësi që të zhvillohen. Administratat komunale, Prokuroria e Kosovës, gjykatat etj., duhet ta qesin gishtin në kokë dhe ta pyesin veten se mbrojtja e mafio-oligarkëve a është opsion i duhur apo me të vërtetë jemi duke gabuar. E tërë kjo po ndodh për shkak se shumë prokurorë e gjyqtarë po dyshohet se janë të korruptuar nga mafio-oligarkët politikë dhe biznesor, kurse ata që janë të pafajshëm për një shkelje të vogël të ligjit dënohen me burgim ose me gjoba", është shprehur Maloku për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)