Pasojat e politikës së mbrapshtë, Kosova më keq se në 1999!

  • 26 September 2018 - 07:25
Pasojat e politikës së mbrapshtë, Kosova më keq se në 1999!

Ka humbur shpresa për ndryshime, njerëzit duan të ikin 

"E gjithë kjo katrahurë vjen nga politikëbërësit matrapazë, nga monopolizmi dhe bandat kriminale, të cilat e vodhën dhe e plaçkitën tërë pasurinë e shtetit, duke e tjetërsuar në pronat e të "fortëve". Andaj, edhe është humbur optimizmi, është humbur besimi, ngase në Kosovë sundon një kastë e brishtë moralisht e kombëtarisht në politikë, që janë pakicë, por që janë të fortë në muskuj dhe mekanizmat parapolitikë", theksoi analisti Ali Hertica për gazetën "Kosova Sot" 

Kosova po e kalon periudhën më të vështirë që nga viti 1999, kur mbi një milion shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe regjimi serb bëri masakra nga më të përgjakshmet. Në vend se qytetarët tanë të gëzojnë lirinë e shumëpritur, atyre ua zunë frymën sundimtarët e pasluftës, të të gjitha partive, pa dallim, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, të cilët në emër të luftës, prej gati dy dekadash, nuk lanë gjë pa bërë në kurrizin e qytetarëve. Analisti politik Ibrahim Kelmendi, për gazetën " Kosova Sot', thotë se fatkeqësisht Kosova po kalon në një gjendje tepër të rëndë, ekonomike, politike, sociale, por edhe tepër të rrezikshme, për shkak se kuislingët i janë imponuar presidentit e kryeministrit. "Kësaj radhe po e marr shembull konkretizues energjetikën. Pushtetarët marioneta e kuislingë e kanë sabotuar Kosovën të ketë furnizim të rregullt me energji elektrike, pothuajse falas për qytetarët dhe bizneset, duke e kompensuar me eksport, falë rezervave të mëdha të qymyrit", vlerësoi ai. 

Komploti energjetik
Sipas Kelmendit, tani po realizohet komploti i ri energjetik, me të ashtuquajturën termoelektranë "Kosova e Re", e cila në të vërtetë është "Kosova e krimit". "Shteti i Kosovës duhet t'i garantojë kompanisë amerikane 1.3 miliard euro kredi për 'investim' në termoelektranë me kapacitet vetëm 500 Mwh dhe duhet t'ia garanton çmimin e shitjes me çmim 80 euro për Mwh. Sikur qeveria t'i ofronte KEK-ut garanci për kredimarrje vetëm 500 milionë euro (dhe jo si amerikanëve 1.3 miliardë) dhe çmim të shitjes 50 euro për Mwh (dhe jo 80 euro, si i garanton amerikanet), buxheti i Kosovës do të fitonte në vit rreth 200 milionë euro, duke mos e dëmtuar buxhetin, siç do të ndodhë me kontratën kriminale që ka nënshkruar qeveria me korporatën amerikane", shpjegoi më tutje Kelmendi. "Zgjidhja urgjente është kjo: të anulohet ajo kontratë, t'i paguhen 19 milionë euro dënim korporatës amerikane për dalje nga kontrata (siç parashihet kjo mundësi në kontratë) dhe t'i ofrohen garancitë KEK-ut, që ta ndërton termoelektranën me kapacitet 500 Mwh me rreth 450 milionë euro (dhe jo me 1.3 miliardë, siç ka mashtruar korporata amerikane).Bile, nëse Qeveria do të garantonte KEK-un për të huazuar një miliardë euro, do të mund të ndërtohet dy termoelektrana me nga 500 Mwh dhe Kosova do të ketë fitim të madh nga eksporti dhe infuzion emergjent për zhvillim të shpejtuar ekonomik. Këto të tjerat janë fjalë që po i bëjmë nga fukarallëku mendor dhe ekonomik", vlerësoi ai.

Bandat monopolizuan gjithçka
Ndërsa analisti Ali Hertica, për gazetën "Kosova Sot", tha se e gjithë kjo katrahurë vjen nga politikëbërësit matrapazë, nga monopolizmi dhe bandat kriminale, të cilat e vodhën dhe e plaçkitën tërë pasurinë e shtetit, duke e tjetërsuar në pronat e të "fortëve". "Andaj edhe është humbur optimizmi, është humbur besimi, ngase në Kosovë sundon një kastë e brishtë moralisht e kombëtarisht në politikë që është pakicë, por që janë të fortë në muskuj dhe mekanizmat parapolitikë. Këto sjellje janë të pushtetarëve tanë që na sollën në këtë gjendje dhe të cilët në emër të luftës, prej gati dy dekadash, nuk lanë gjë pa bërë në kurrizin e qytetarëve", u shpreh ai."Sido që të jetë, nuk duhet humbur shpresat, sepse populli duhet të ngrihet e të çlirohet nga kjo katrahurë, duke u nisur nga situata politike dhe aktuale, të cilën po e përjeton qytetari, thuhet se është një periudhë tejet e rëndë dhe e vështirë, sikur nga vitet '99. Tani, qytetari thuajse është i ngulfatur nga kjo kastë politike, e cila nuk shtyn procese përpara për ta integruar shoqërinë dhe shtetin drejt një jete stabile dhe pa brenga, duke ditur se qytetari ka përjetuar katrahura dhe gjenocid nga shovinizmi serb, ku qytetari nuk e ka merituar një jetë të tillë, duke jetuar në varfëri dhe me këtë shpresë të thyer nga kasta e të inkriminuarve politikë dhe duke u pasuruar në forma më të poshtëruara nga asetet e buxhetit", potencoi më tej Hertica. 


PËRDHOSJA NGA PUSHTETARËT ANALFABETË
"Sot, qytetari është i përdhosur dhe i degraduar tërësisht, sepse në pushtet erdhën të pangopurit dhe analfabetët, të cilët dominojnë në të gjitha dikasteret dhe kanë kontroll mbi të gjitha institucionet. Tani qytetarit i mbetet të marrë kushtrimin më 29 shtator për ndryshim dhe të dalë nga kjo katrahurë plaçkitëse", tha Ali Hertica për "Kosova Sot"

MARIONETAT E BEOGRADIT
"Kjo gjendje është kryesisht e imponuar nga marionetat e Beogradit nacionalfashist, që na i ka imponuar qysh kur UNMIK-u zuri të formonte institucione 'shtetërore'", tha për "Kosova Sot" analisti Ibrahim Kelmendi

Qytetarët duan t'i japin fund heshtjes
Përveç analistëve politikë, edhe qytetarët e anketuar thonë se janë tej mase të zhgënjyer me të gjitha garniturat e pushtetarëve tanë të pasluftës tash e 20 vjet. Sipas tyre, në vend se ata të gëzojnë lirinë e shumëpritur, ua zunë frymën sundimtarët e pasluftës, të të gjitha partive pa dallim, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, të cilët në emër të luftës, prej gati dy dekadash, nuk lanë gjë pa bërë në kurrizin e qytetarëve. Shih për këtë, qytetari i Prishtinës, Rrahman Rrahmani, për gazetën "Kosova Sot", thotë se tash e dy dekada këta pushtetarë në të dyja nivelet nuk sollën asnjë të mirë për qytetarët e vendit. "Gjatë tërë kësaj kohe këta pushtetarë tanë të pasluftës, që shumicën e kohës ishin të krahut të luftës, nuk i sollën popullit asnjë të mirë, por gjithmonë kanë menduar vetëm për veten e tyre, duke e pasuruar veten e familjarët e tyre, duke e shëtitur botën, kurse për qytetarët nuk ka menduar askush dhe nuk po brengoset. Prandaj, edhe qytetarët tanë kanë rënë në heshtje, ndonëse janë po këta qytetarë që i thanë Serbisë më 1999 "boll se nuk e durojmë më dhunën e represionin tuaj". Prandaj e them se nga heshtja e tyre një pjesë e fajit është edhe e qytetarëve tanë, ngase një fjalë e urtë popullore thotë se "edhe qytetarëve u ka humbur rruga në oborr", vlerësoi ai. Sipas Rrahmanit, kjo situatë e rëndë ekonomike që e ka kapluar vendin dhe nga papunësia e madhe mbi 50 për qind e tyre si edhe nga varfëria e madhe që e ka kapluar popullatën, pra në mungesë të perspektivës ekonomike, shkollimit e punësimit, ka bërë që të gjithë të rinjtë tanë të orientohen nga shtetet e Perëndimit, vetëm e vetëm që të gjejnë punë."Kosova ka nevojë për një klasë të re politike që është e shkolluar në Perëndim, por në radhë të parë për një klasë politike që është atdhetare dhe që në radhë të parë mendojnë për qytetarin dhe për shtetin dhe jo si të pasurohen vet", ka thënë ai. Ndërsa qytetari tjetër nga kryeqendra, juristi Murat Lepaja, për gazetën "Kosova Sot" thotë se qytetarët tanë kanë pritur shumë më tepër nga liria."Dhe për këto pasoja ata janë shumë të zhgënjyer nga ajo çfarë kanë pritur pas lufte. Sepse është pritur shumë më tepër, sidomos një mirëqenie më e madhe në popull, ngase e kemi pasur një ëndërr që ta bëjmë shtetin tonë, por jemi të zhgënjyer plotësisht nga të gjitha garniturat e sundimtarëve tanë në çdo segment të jetës, qoftë në nivel qendror apo lokal, ngase është papunësia shumë e madhe dhe për pasojë nuk ka asnjë qytetar që nuk është i zhgënjyer, sepse kemi rastet që vetëm ata që po thirren në të kaluarën e tyre luftarake bashkë me oponentët e tyre dhe militantët partiakë dhe të afërmit e tyre kanë përfituar. Kurse pasojat po i vuan populli i gjorë dhe kështu do të jetë përderisa nuk ndërrohet kjo klasë politike që është në pushtet", u shpreh ai. Sipas Lepajës, edhe opozita, edhe populli që si duket është në gjumë do të duhej të ishin shumë më aktivë në këtë drejtim, duke shfrytëzuar të gjitha format e lejuara dhe demokratike të protestave e demonstrimit paqësor, në mënyrë që të ndërrohet kjo garniturë politike që është fajtore për këtë gjendje të rëndë. 

(Kosova Sot)