Kuvendi, shërbëtor i Devollëve, ua zgjat jetën monopoleve

  • 26 September 2018 - 07:31
Kuvendi, shërbëtor i Devollëve, ua zgjat jetën monopoleve
Krasniqi: Mbrapa Devollëve nuk qëndrojnë vetëm të fuqishmit e politikës, por edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës 

"Përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve të Kosovës jo vetëm që e mbyllin gojën para monopoleve kriminale, por për më tepër përkrahin edhe krijimin dhe mbajtjen e monopoleve zhvatëse e kriminale dhe kjo i bie që ta lejojnë të goditësh xhepin e varfër të qytetarit... Përse e kemi një heshtje aq të madhe nga deputetët para monopoleve kriminale mbi 10-vjeçare të Devollëve, e për më tepër edhe i përkrahin Devollët, siç ishte rasti me kompaninë e tyre 'Art Motion', në pronësi të Shkëlqim Devollit", thotë analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot" 

Ndonëse deputetët janë të obliguar që të mbrojnë Kushtetutën, sovranitetin e shtetit, interesin e publikut nga krijimi i monopoleve, në Kosovë ndodh e kundërta. Kjo ngase përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve jo vetëm që e mbyllin gojën para monopoleve kriminale, por për më tepër përkrahin edhe krijimin dhe mbajtjen e monopoleve zhvatëse e kriminale, duke goditur xhepin e varfër të popullit. Nga analistët e ekonomisë shtrohet pyetja se përse deputetët e Kosovës po heshtin para monopoleve kriminale mbi 10- vjeçare të Devollëve, e për më tepër edhe i përkrahin Devollët, siç ishte rasti me kompaninë "Art-Motion" të Shkëlqim Devollit. Ndërsa ishkryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, thotë se nuk ka asnjë dyshim se në Kosovë Devollët kanë vendosur monopol në shumë fusha biznesore, për faktin se ata janë duke u mbështetur nga të gjitha partitë politike, në Kuvend dhe jashtë tij."Natyrisht që ketë mbështetje ata e arrijnë jo gjithherë me mbështetje të ligjeve në fuqi. Pasi kur krijon monopol në fusha ekonomike e biznesore, krijon edhe fuqi financiare për të korruptuar e fituar mbështetje të gjithanshme e në çdo institucion, deri edhe në Kuvend të Kosovës. Jo më kot populli ynë ka thënë: "Paraja e çon ujin përpjetë". Se gishtat nuk është ndonjë problem. Prandaj mbështetet edhe 'Art Motion'. Pse jo, kur mbrapa nuk të qëndrojnë vetëm të fuqishmit e politikës, por edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës", ka thënë Krasniqi.

Politika e korruptuar udhëheq ekonominë
Njohësi i problemeve ekonomike në vend, eksperti Lulzim Beqiri, për gazetën "Kosova Sot", thotë se Kosova është një shtet edhe më "sui generis" sesa vetë pavarësia e saj."Një shtet ku ekonomia udhëhiqet nga politika ditore, por edhe kjo politikë udhëhiqet nga politikanë me interesa ditore, me parti politike pa orientim të qartë politik dhe ekonomik. Me parti dhe liderë që plot gojën e kanë orientim nga tregtia e lirë dhe kapitaliste, ndërsa në praktikë veprojnë me logjikën e orientimit socialist. E them këtë sepse qeverisjet e deritanishme janë orientuar në buxhete të konsumit, ku hyjnë pagat e nëpunësve publikë shumë më të larta sesa në sektorin privat, ky lloj absurdi ndodh vetëm në Kosovë", u shpreh ai. "Argument tjetër se sa qeveritë tona punojnë sipas ligjeve të tregtisë së lirë tregon më së miri se si i orientojnë politikat e tyre zhvillimore, ku shumica të hyrave në arkën e shtetit janë të orientuara nga dogana dhe më e rënda, që më lehtë gjejnë konsumatorin produktet e importuara sesa prodhimi vendor", vijoi më tej Beqiri."Vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës për vazhdimin e monopolit, një kompanie të vetme, tregon për rrugën e keqe që ka marrë ekonomia kosovare, këto ditë ia kanë dhënë edhe të drejtën e kryerjes së A-testeve, si dhe me Udhëzimin e ri Administrativ i kanë hapur rrugë vazhdimit të monopolit në homologim edhe pas 2019, çka shkel rëndë konkurrencën e lirë dhe ekonominë e tregut, sa e vështirë është të bësh biznes në Kosovë, nuk mjaftojnë krekosjet e politikanëve se kemi ligjet më të mira në botë, përderisa ato ligje janë vetëm në letër", thotë analisti Beqiri, duke tërhequr vërejtjen se pasi shkatërruan PTK-në, 'Trepçën', konkurrencën e lirë, në pritje të shkatërrimit të ndonjë sektori tjetër, "mjerë populli në dorë të kujt e ka lënë ekonominë".

Deputetët ia gjuajnë topin AKK-së
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Hajdar Beqa (PDK), për gazetën "Kosova Sot", thotë se Kushtetuta e thotë qartë se Republika e Kosovës është e përcaktuar për një ekonomi të lirë të tregut dhe të gjitha bizneset janë të barabarta para ligjit, pra janë të barabarta dhe të gjitha ato biznese që duan të punojnë e bëjnë të jetë një biznes të barabartë para ligjit. "Kosovës nuk i duhet ndonjë monopol, por unë nuk kam informata të mëtejme për këtë çështje që po e shtroni", u shpreh ai. Ndërsa për heshtjen e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, deputeti Beqaj thotë se ata punojnë me ligj dhe në këtë rast kompanitë i kanë plotësuar kriteret ligjore dhe në rast se është ndryshe, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është i obliguar që ta respektojnë ligjin."Dhe ne si deputetë e anëtarë të komisioneve të Kuvendit nuk kemi marrë asnjë shkresë nga ana e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës se në Kuvendin e Kosovës duhet që të debatohet për monopolin e ndonjë kompanie", potencoi ai. "Ne si deputetë të Kuvendit jemi të obliguar dhe duhet që të përkrahim ekonominë e lirë të tregut dhe pikërisht kjo është edhe detyrë jona dhe e shtetit tonë", ka thënë më tej Beqa. Edhe deputetja tjetër e Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Emilija Rexhepi (Grupi parlamentar i AAK-së), tha për "Kosova Sot" se në Republikën e Kosovës tregu i lirë dhe ekonomia e lirë është e garantuar dhe në bazë të këtyre ligjeve dhe Kushtetutës dhe së këndejmi shteti ynë është i obliguar që investitorit të huaj apo vendor t'i garantojë kushtet e afarizmit për një treg të lirë. "Veç kësaj, është edhe ligji për qeverisjen lokale dhe ekzistojnë rregulla që u garantojnë të gjithë investitorëve potencialë që të investojnë nëpër komuna", u shpreh ajo. Sipas deputetes Rexhepi, me gjithë këto rregulla ligjore strikte dhe garancitë ligjore dhe kushtetuese, tregu i lirë dhe legjislacioni që garanton këtë treg nuk po respektohen mjaftueshëm. E pyetur rreth monopolit të Devollëve në fushën e homologimit të automjeteve dhe "Art Motion", se pse po heshtin deputetët, deputetja Rexhepi tha se nuk është e informuar sa duhet.

DEBATI NË KUVEND
"Çfarëdo teme e shqetësimi e kësaj natyre që do të vjen në Kuvend për debat unë nuk do të hesht në asnjë mënyrë po qe se ajo temë për debat ndaj ndonjë biznesi që nuk është në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e vendit, pa marrë parasysh se cili subjekt ekonomik apo kompani dhe individ është në pyetje dhe kush qëndron mbrapa saj", u zotua Emilja Rexhepi për "Kosova Sot". 

PROKURORIA HESHT PËRBALLË MATRAPAZËVE MILIONERË
"Ku është prokuroria, a ka ndonjë prokuror që i dhemb shpirti për këtë vend, t'i ndalë ata që luftuan dhe na shiten si luftëtarë dhe atdhetarë, e në anën tjetër e shkatërruan vendin? Ku është qytetaria aktive? Ku jeni ju burra e gra që nuk e doni këtë vatan, pasuria e shtetit po gllabërohet, dikush duhet t'u dalë në ballë këtyre politikanëve matrapazë milionerë?", u shpreh Lulzim Beqiri për "Kosova Sot".

LICENCAT SIPAS KRITEREVE, JO INDIVIDËVE
"Një kompani që ka kriteret e plotësuara duhet që të licencohet e nëse nuk i ka plotësuar kriteret ajo nuk duhet licencuar, cilado qoftë ajo kompani dhe kushdoqoftë ai pronar. Pra, këtu duhet shikuar edhe seriozitetin e atyre kompanive, e jo sipas individëve, se a është pronar i asaj kompanie ky apo ai individ. Ngase duhet përkrahur ato kompani që punojnë e hapin vende të reja pune, sepse fundja jemi përcaktuar për një ekonomi të lirë të tregut dhe kjo është në interes të vendit që të përkrahen ato kompani që punojnë", tha Hajdar Beqa për "Kosova Sot".

Tregu i lirë, utopi në Kosovë
Ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Tali, edhe ish-përfaqësues i Bankës Botërore menjëherë pas lufte në Kosovë, për gazetën "Kosova Sot", thotë se në kuptimin e fjalës së tregut të lirë, ku veprojnë mekanizmat ekonomikë apo dora e fshehtë e tregut, si thotë Smithi, në Kosovë nuk ka treg të lirë, sepse ky shtet është patrimonialist, pra shtet i kryetarit, që luan rolin e monarkut, i familjeve, i miqve, i dajallarëve, i militantëve partiakë etj. "Prandaj edhe ata i shfrytëzojnë mekanizmat politikë të ndërhyjnë në tregun e lirë. Nëse nuk ke lidhje politike është shumë vështirë të mbijetosh në tregun e Kosovës", vlerëson ai. Ndërsa i pyetur rreth monopolit të kompanisë 'Devolli' në fushën e homologimit të automjeteve dhe heshtjes së deputetëve, ekonomisti Driton Tali tha se ka dyshime të bazuara se Korporata 'Devolli' ka lidhje të caktuara me politikën."Kur them politika, mendoj në njerëz të fuqishëm të politikës, sikurse që janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, që është i asaj ane në një formë apo tjetër. Veç saj, edhe ka dyshime të bazuara se në shumë biznese të caktuara hisetar apo aksionar është z. Hashim Thaçi dhe kështu me radhë. Pastaj në forma të ndryshme i korruptojnë edhe figura të tjera politike dhe ju si medium ju kujtohet rasti i Jahtit të z. Shpend Ahmeti. Prandaj, është shumë e logjikshme që Devollët për interesa të tyre t'i përdorin të gjithë këta mekanizma për të hyrë në treg", theksoi Tali. Ndërsa për deklaratën e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, analisti Tali tha se është mirë që më në fund e ka pranuar këtë edhe Krasniqi, duke mos e shfajësuar as atë për sa ishte pjesë e pushtetit.

Deputetët e shitur punojnë për sponsorët
Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën "Kosova Sot", thotë se duke qenë dëshmitar që mandati i deputetëve sponzorizohet pikërisht nga këto monopolet dhe oligopolet në vend, këta janë të obliguar t'ua kthejnë borxhin përmes votës në favor të bizneseve që e kanë ngulfatur ekonominë e tregut. "Praktika ka treguar, sidomos në këtë mandat, se deputetët janë vetëm numra për ngritjen e dorës, asgjë më shumë, pra ky legjislativ ka dëshmuar që është vetëm sasi e aspak cilësi. Është për të ardhur keq një degradim i tillë i përfaqësuesit të popullit, duke u vënë në shërbim të mafio-oligarkisë, e cila është promotori i monopolit në vend praktik, e cila është në kundërshtim me ekonominë liberale, pra kjo legjislaturë më së paku përfaqëson qytetarin", vlerësoi ai. Ndërsa analisti Ragip Guraziu, për "Kosova Sot", tha se edhe pse dihet që ligjërisht deputetët janë të obliguar dhe veç saj edhe janë betuar, që do thotë sipas betimit janë të obliguar ta mbrojnë Kushtetutën, sovranitetin e shtetin, interesin e publikut nga krijimi i monopoleve, në Kosovë po ndodh e kundërta."Ngase përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve të Kosovës jo vetëm që mbyllin gojën para monopoleve kriminale, por për më tepër përkrahin edhe krijimin dhe mbajtjen e monopoleve zhvatëse e kriminale dhe kjo i bie që ta lejojnë të goditësh xhepin e varfër të qytetarit", potencoi ai. Analisti Guraziu pyet se përse e kemi një heshtje aq të madhe nga deputetët para monopoleve kriminale mbi 10- vjeçare të Devollëve, e për më tepër edhe përkrahin Devollët, siç ishte rasti me kompaninë e tyre "Art Motion" në pronësi të Shkëlqim Devollit. "A i kanë korruptuar edhe deputetët, si dhe çdo institucion tjetër shtetëror në çdo nivel, Devollët, sepse ka dyshime se Devollët këtë po e bëjnë edhe me paratë që po i zhvatin përmes monopoleve kriminale nga xhepat e qytetarëve kosovarë", thotë më tej Guraziu.

(Kosova Sot)