Djali i sëmurë nga kanceri dëshiron të bëhet polic

  • 16 October 2018 - 16:58
Djali i sëmurë nga kanceri dëshiron të bëhet polic

Një djalë i ri, për të cilin mjekët thonë se nuk do të jetojë më gjatë sesa në prill dhe i cili ëndërron që të bëhet polic, ishte befasuar për të mirë kur një eskortë e policisë e kishte përcjellë për trajtimin e tij përfundimtar. Liam Silveira, 7 vjeç, nga Bangor, Main, ka më shumë se një vit që lufton kundër gliomës agresive. 

Liam jetoi më gjatë sesa parashikimet

Mjekët i kishin thënë nënës së tij, Devin, se kanceri i Liamit nuk tregonte shenja të përmirësimit dhe se duhen që të përgatiten për më të keqen. 'Ishte mrekulli që Liam jetoi më gjatë sesa parashikimet', deklaroi Silveira për "ABC News". 'Ai do ta përfundojë kimioterapinë sot. Ai kupton se çka është duke ndodhur. Ai di disi se cila është prognoza e tij. Mjekët i kishin thënë se nuk do të jetonte më shumë sesa deri në prill, por ja ku është ai sot, duke i sfiduar këto prognoza". Liam gjithherë ka ëndërruar që të bëhej polic kur të rritej dhe oficeri lokal Dan Gastia është idoli i tij, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Guximi i manifestuar gjatë trajtimit

Në fillim të këtij muaji, ai mbeti i ngazëllyer kur pa policët që kishin shkuar për ta përcjellë në seancën e fundit të kimioterapisë. Policët e lanë Liamin që të udhëtonte me veturë policore, ta përdorte radion, bile ia dhanë edhe një bexh të nderit të sherifit. Një zyrtar policor tha se ishte bekim i madh për ta të ishin shoqërues të djalit. Nëna e Liamit filloi të qante kur pa policët duke ia bërë djalit të saj ditën e paharrueshme. Ajo thotë se djali i saj është një fëmijë i mrekullueshëm, i cili meriton më të mirën. Edhe pse Liam nuk është shëruar tërësisht, familja e tij janë të lumtur që atij nuk do t'i duhet më t'i nënshtrohet kimioterapisë, e cila është një terapi shumë e rëndë. Dan Gsatia thotë se admiron djalin për guximin që ka manifestuar gjatë trajtimit. Glioma është një lloj i tumorit të trurit i cili fillon nga qelizat gliale, të cilat mbështesin dhe ushqejnë qelizat nervore. Gliomat përbëjnë rreth 25% të kancereve të fëmijërisë. 

 

(Kosova Sot)