Kurti thotë se Thaçi po premton në emër të Vuçiqit, Putinit dhe Xisë

  • 21 October 2018 - 19:11
Kurti thotë se Thaçi po premton në emër të Vuçiqit, Putinit dhe Xisë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kaluar nga premtimet brenda vendit në ato jashtë vendit në emër të presidentëve botëror.

“Nga premtimet brenda vendit si kryeministër, Thaçi ka kaluar te premtimet nga jashtë vendit si president. Dikur si kryeministër premtonte prej 200 mijë vendeve të punës në Kosovë e deri te formimi i komunave Kodra e Trimave, Has, Kievë, Hogosht e Zhegër. Sot si president premton bashkangjitje të Luginës dhe anëtarësim të Kosovës në OKB, NATO e BE”, ka thënë Kurti në një postim në profilin e tij në “Facebook”.

Po ashtu, i pari i Vetëvendosjes tha se Hashim Thaçi po premton në emër të presidentit serb Aleksandar Vuçiq se do të na bashkëngjiten Presheva, Medvegja e Bujanoci, dhe në emër të presidentëve rus Vladimir Putin dhe kinez Xi Jinping se Kosova do të marrë ulëse në OKB, dhe, në emër të Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë e Qipros se do të anëtarësohemi në NATO e BE.

Albin Kurti e ka quajtur Thaçin ambasador të vetëshpallur të këtyre iniciativave.

“Ky nuk është President i Kosovës por ambasador i vetëshpallur i këtyre instancave në emër të të cilave premton. Pra, Presidenti i Kosovës jo vetëm që nuk është President, por nuk është as i Kosovës. A thua e bën falas këtë punë ambasadori i vetëshpallur për shtetet që s’na kanë njohur? Nuk e di sa kush tjetër e paguan, por populli i Kosovës shumë shtrenjtë. Thaçi s’e ka për shtet tonin që u garanton liri qytetarëve, por për pushtet të vetin e që është e vetmja garanci e lirisë për të”, ka shkruar Kurti.

 

(Kosova Sot)