Mblidhet kryesia, pritet caktimi i seancës së jashtëzakonshme

  • 19 November 2018 - 12:16
Mblidhet kryesia, pritet caktimi i seancës së jashtëzakonshme

Është duke u zhvilluar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Të pranishëm në këtë mbledhje janë thuajse të gjithë shefat e Grupeve Parlamentar në përjashtim të shefit të Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi.

Në këtë mbledhje diskutohet për pesë pikat e rendit në agjendë.
Në mesin e këtyre pikave për diskutim është edhe caktimi i datës së vazhdimit të seancës së jashtëzakonshme, e nisur me datën 16 mbi debatin parlamentar sipas kërkesës së 42 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme lidhur me dështime dhe skandalet në politikën e jashtme të Kosovës.

Po ashtu, pritet të caktohet edhe seanca plenare e radhës, në të cilën janë paraparë të përfshihen 16 pika për diskutim nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit do të diskutojnë edhe për pikat e papërfunduara nga seanca plenare, mbajtur më 13 shtator, 18, 31 tetor, 2 dhe 7 nëntor, ku janë gjithsej 24 pika për votim dhe shqyrtim, në mesin e tyre votimi në parim i Projektligjit për transmetuesin publik të Kosovës dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës.

(Kosova Sot)