Ja çfarë thonë shqiptarët që do të konkurrojnë për Parlamentin e Zvicrës

  • 04 October 2015 - 21:03
Ja çfarë thonë shqiptarët që do të konkurrojnë për Parlamentin e Zvicrës

Në Qendrën Kulturore të Kosovës në Cyrih, të shtunën ishte organizuar një takim me kandidatët shqiptaro-zviceranë që garojnë në zgjedhjet nacionale të tetorit në Zvicër.

Ministri i Diasporës, Valon Murati, kishte shkuar enkas nga Kosova për të inkurajuar kandidatët me origjinë shqiptare në garën e tyre zgjedhore në Zvicër.

Ftesës iu kanë përgjigjur disa nga kandidatët e CVP-së, ndërsa ministri kosovar i Diasporës ka shprehur kënaqësinë për faktin se të rinjtë shqiptarë nuk qëndrojnë indiferent dhe kanë marrë guximin t’i hyjnë një gare të tillë zgjedhore në funksion të integrimit sa më të madh në jetën publike zvicerane.

Për mysafirin nga Prishtina, diaspora është në tranzicion, në një pikë kthese, prej fazës së mobilizimit për të ndihmuar çlirimin e Kosovës - në një fazë të integrimit dhe fuqizimit në jetën politike, si formë e mundësi tjetër e ndihmës për atdheun.

Ai ka kërkuar nga shqiptarët në Zvicër që të jenë sa më të organizuar si komunitet dhe në këtë unitet të tyre të mos reflektojë raporti i partive politike në Kosovë.

Në anën tjetër, të gjithë kandidatët për deputetë në Parlamentin e Zvicërs të pranishëm në këtë takim shprehën falënderimin e tyre për vizitën dhe mbështetjen e ministrit nga Kosova. Ata gjithashtu falënderuan partitë zvicerane për mundësinë e dhënë që të jenë pjesë e listave të tyre zgjedhore, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për çështjen e Kosovës.

Shqipe Bajrami, njëra nga kandidatet e CVP-së në kantonin e Cyrihut, tha se ka zgjedhur këtë parti ngase politika familjare është më avancuar në këtë subjekt politik. Ajo tha se do ta ketë në fokus të angazhimit të saj politik edhe integrimin sidomos të rinjve. Politikania me origjinë nga Drenica pret edhe mbështetjen elektoratit shqiptar në Zvicër.

Qendresa Sadriu, kandidate tjetër nga CVP-ja në Bernë, tha se mobilizimi i shqiptarëve duhet të jetë më i madh në këto zgjedhje për të zgjedhur njërin nga kandidatët me origjinë shqiptare.

Pastaj, ka promovuar kandidaturën e tij në këtë tubim Shpëtim Xhemaili nga Soloturni. Edhe ai është kandiduar në këto zgjedhje nga të rinjtë e CVP-së, ndërsa thotë ta ketë gjetur veten në këtë subjekt politik për shkak se është e qendrës dhe nuk është si subjektet politike me orientim të majtë dhe të djathtë të cilat, sipas tij, vetëm i tregojnë problemet por nuk i zgjidhin, shkruan Albinfo.ch.

Një kandidat tjetër në këtë takimi me ministrin e Diasporës kishte ardhur nga St.Galleni. Ai ishte 19-vjeçari, Veton Rasaj. Politikani i ri premton se do të angazhohet për integrimin dhe arsimimin e të rinjve.

“Pa arsimim nuk ka edhe integrim”, ka thënë Rasaj.

Përparim Avdili, politikan i FDP-së (Partia Liberale e Zvicrës), ka informuar të pranishmit për mënyrat e votimit në Zvicër. Avdili ka treguar për mundësitë e votimit në Zvicër.

Ai ka sqaruar se zarfi zyrtar me postë duhet të dërgohet mbrapa më së voni deri më 14 tetor ose mund të dërgohet drejtpërdrejt në kutinë postare të komunave më së voni deri 17 tetor, një ditë para zgjedhjeve. Ky sistem është i njëjtë në tërë Zvicrën. Nëse nuk e nënshkruani zarfin me votën tuaj, atëherë vota juaj nuk vlen.

Pjesa e fundit ishte rezervuar për debatin ndërmjet kandidatëve dhe zgjedhësve të pranishëm në këtë takim të organizuar nga Qendra Kulturore në Zvicër.