Raportuesi kontrovers i KE-së për Kosovën nesër qëndron në Prishtinë

  • 04 October 2015 - 21:04
Raportuesi kontrovers i KE-së për Kosovën nesër qëndron në Prishtinë

Pas shumë reagimeve dhe ankesave, nesër (e hënë) më në fund raportuesi i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës, Agustin Conde vjen për vizitë në Kosovë.

Ai nesër në mëngjes do ta ketë takimin e parë zyrtar në Kosovë me kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Mungesa e vizitës së Condes në Kosovë kishte nxitur reagime të shumta, fillimisht nga nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti i cili mori pjesë në sesionin vjeshtor të AP të KE-së, e më pas edhe të nënkryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Valentina Leskaj.

Leskaj, njëherësh edhe zëvendëspresidente e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, gjatë punimeve të sesionit të vjeshtës së AP të KE-së, (të zhvilluara këtë javë) ka ngritur si shqetësim mungesën e vizitës së raportuesit për Kosovën, Agustín Conte, i cili raportoi pikërisht për këtë shtet, por duke mos kryer asnjë vizitë në Kosovë.

Nisur nga fakti se Conde e kreu vizitën e parë në Serbi dhe ende nuk ka shkuar në Kosovë, ndërkohë që është raportuesi i Kosovës e jo i Serbisë, Leskaj inkurajoi Conden të vizitojë Kosovën dhe të zhvillojë kontakte me autoritetet kosovare, me përfaqësues të shoqërisë civile dhe faktorë të tjerë, duke reflektuar në raportin e APKE-së edhe progresin që ka shënuar Kosova, raporton Indeksonline.