Shpendi ua kthen “borxhin” Devollëve me tender (Dokument)

  • 07 October 2015 - 15:09
Shpendi ua kthen “borxhin” Devollëve me tender (Dokument)

 

 

Komuna e Prishtinës e udhëhequr nga “Vetëvendosje”, i ka dhënë këtë vit dy tenderë kompanisë Devolli, në vlerën 63 mijë euro.

Devolli kishte financuar partinë e Shpend Ahmetit në vitin 2010, sikurse edhe kishte furnizuar me jogurt Vetëvendosjen në vitin 2013.

Përveç këtij bashkëpunimi, “Vetëvendosje” në vazhdimësi kishte kritikuar kompaninë e vëllezërve Shkëlqim e Blerim Devolli, lidhur me procesin e privatizimit dhe lidhjet e saj me njerëzit e politikës.

Megjithatë, kritikuesit e kompanisë së fuqishme nga Peja të hënën shpallën fituese pikërisht atë për t`i furnizuar  me qumësht nxënësit e shkollave të Prishtinës.

Komuna e VV e shpërbleu Devollin në mesin e 4 operatorëve ofertues. Vlera mujore e kontratës për “Furnizimi me qumësht për nxënësit e shkollave – niveli i ulët prej klasës se I–V” është  40 mijë e 761 euro.

Edhe në muajin qershor komuna e Shpend Ahmetit ia besoi “Furnizimin me  qumësht UHT për Arkivin Komunal dhe Brigaden e Zjarrëfikësve”,  kompanisë Devolli. Vlera e kontratës është 22 mijë e 568 euro.

Kompania e vëllezërve Devolli, ka pasur historik të bashkëpunimit me partinë e Shpend Ahmetit “Fryma e Re” kur ajo u fut në politikë. Në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit të 2010-ës, Devolli kishte financuar FER-in me shumën 5 mijë euro.

financimi 2

Devolli Group e cila ka financuar shumicën e partive politike në Kosovë, në dhjetor të vitit 2013 ka furnizuar me jogurt edhe “Vetëvendosjen”.

financimi

 

Kritikat e VV ndaj Devollit

Në janar të vitit 2014 deputetët e parlamentit kishin miratuar rekomandimet e “Vetëvendosjes” për ngritjen e një komisioni hetimor dhe për auditimin e tërësishëm të privatizimit të Fabrikës së Amortizatorëve, të blerë nga Devolli Group.

Visar Ymeri, shefi i Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes” në legjislaturën e kaluar, pati  deklaruar se AKP-ja kishte shpallur fituese kompaninë Devolli Group, pa e verifikuar mirë historikun e saj.

Kompania, sipas tij, atëkohë ishte nën hetime, por që kjo nuk e kishte penguar AKP-në që ta shpallte fituese në këtë proces privatizimi, raporton gazeta Fjala.

Me gjithë zhurmën e bërë në Kuvend për këtë çështje, asnjëherë nuk është dalë me një raport lidhur me të gjeturat e komisionit hetimor për përfshirjen e vëllezërve Devolli në afera të kundërligjshme gjatë procesit të privatizimit të fabrikës së Amortizatorëve.

furnizimi qumesht per punetoret