24-vjeçari ekzekutohet në pritë, arrestohet një i dyshuar

  • 10 October 2015 - 13:09
24-vjeçari ekzekutohet në pritë, arrestohet një i dyshuar

Policia e Shkodrës jep detaje për vrasjen e 24­vjeçarit Luigj Gjergji, mëngjesin e djeshëm. Blutë e Shkodrës kanë vënë në pranga një të dyshuar si autor të ekzekutimit dhe kanë shpallur në kërkim një tjetër.

Policia dyshon se shtetasit Akil Gradeci i arrestuar dhe Eduard Hulej, i shpallur në kërkim janë autorët e dyshuar të vrasjes. Policia gjithashtu dyshon se vrasja mund të ketë ndodhur për motive të dobëta.

Luigj Gjergji nga fshati Pistull është ekzekutuar mëngjesin e djeshëm me breshëri kallashnikovi teksa po udhëtonte me automjetin e tij tip “Audi” me targa greke NZP8147 në aksin rrugor Kryebushat­Vau i Dejës. Vrasja e të riut ka tronditur banorët e zonës, ndërkohë që burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës bënë me dije se po hetojnë intensivisht në disa pista për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Sipas hetuesve të çështjes, të premten Luigj Gjergji ka përcjellë nënën e tij deri në aeroportin e Rinasit, pasi ajo do të udhëtonte për në Greqi. Më pas 24­ vjeçari është kthyer në banesën e tij dhe në mbrëmje ai u ka thënë të afërmve se do të shkonte në një lokal për të ndjekur ndeshjen Shqipëri­Serbi. Por, 24­vjeçari nuk është kthyer më i gjallë, pasi ka mbetur i vrarë në një atentat. Burime nga policia lokale, por edhe dëshmitarë nga vendi i ngjarjes kanë pohuar se i riu ishte duke udhëtuar me makinën e tij, kur në afërsi të fshatit Stajkë, një automjet tjetër i ka prerë rrugën. Mësohet se një nga personat që ishte në këtë automjet ka qëlluar Gjergjin me breshëri kallashnikovi në një distancë prej afro 7 metrash. Nga plumbat e shumtë 24­vjecari ka vdekur në vend, ndërsa mjeti ka përfunduar në një kanal me ujë në anë të rrugës, me 2 metra thellësi. Po të njëjtat burime sqaruan se autori i krimit për t’u siguruar që e kishte vrarë emigrantin, ka zbritur nga makina dhe ka qëlluar sërish mbi të. Një gjë e tillë konfirmohet nga fakti se edhe në anë të kanalit janë gjetur disa gëzhoja plumbash. Pas kryerjes së krimit, agresori është larguar duke përfituar nga errësira, ndërsa mendohet të këtë pasur një bashkëpunëtor.

Krismat e armës kanë terrorizuar banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar blutë. Policia ka shkuar shpejt në vendngjarje dhe ka kryer veprimet e parahetimore.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale mbi 10 gëzhoja kallashnikovi. Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka shoqëruar 6 persona si dhe ka marrë në pyetje familjarët e viktimës. Këta të fundit kanë pohuar se nuk ishin në dijeni nëse djali i tyre kishte sherre të mbartuara.

Madje sipas tyre, ai kishte thënë se do shkonte në një lokal për të parë ndeshjen Shqipëri­Serbi dhe nuk ishte kthyer më, transmeton gazeta shqiptare. Sipas bluve, paraprakisht dyshohet që i riu të të jetë vrarë pas një sherri të çastit, por po hetohet edhe në pista të tjera. Kjo për faktin se viktima ishte prej disa kohësh emigrant në Greqi ku jetonte me nënën dhe familjarë të tjerë, ndërsa vinte herë pas here në Shqipëri.