Gjyqtari i futbollit e kuptoi që vuante nga tumori në tru pasi u godit nga topi

  • 13 October 2015 - 21:44
Gjyqtari i futbollit e kuptoi që vuante nga tumori në tru pasi u godit nga topi

Një gjyqtar futbolli, të cilin doktorët e kishin diagnostikuar me depresion, e ka kuptuar që po vuante nga tumori në tru pasi që ishte goditur me top futbolli në kokë. Melvyn Scarborough, gjyqtar i futbollit amator, ishte detyruar të merrte pushim të përkohshëm nga referimi pas shpërfaqjes së shenjave të lodhjes dhe mungesës së balancës, gjë për të cilën doktorët e kishin fajësuar depresionin. Mirëpo, në një moment, gjatë kohës kur ai ishte duke pushuar nga referimi, atij i ishte dhënë mundësia që të referonte në një ndeshje miqësore dhe ai kishte vendosur që ta bënte një gjë të tillë. Mirëpo, pas vetëm gjysmë ore lojë, ai ishte goditur nga topi në pjesën e pasme të kokës së tij, duke rënë përtokë, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Tumori, në madhësinë e një grushti

E, kur kishte mbërritur në spital ai ishte tronditur kur e kishte kuptuar që ai kishte tumor në madhësinë e një grushti në tru. Pesëdhjetepesëvjeçari i është nënshtruar një operacioni në tru, që ia ka shpëtuar jetën, mirëpo tani duhet të qëndrojë të paktën një vit larg punës së tij si mbikëqyrës i ndërtimit, deri në momentin kur të shërohet nga ndërhyrja. Zotëri Scarborough, që jeton në Shefilld të Anglisë bashkë me bashkëshorten e tij, Donna, ka thënë: “Futbolli ma ka shpëtuar jetën. I pata referuar vetëm pesë lojë në sezonin e kaluar, para se të ndaloja së referuari, sepse nuk ndihesha mirë. Në fakt, nuk kisha referuar në asnjë lojë për më shumë se një vit dhe e pata hequr emrin nga regjistri dhe si rrjedhojë pata refuzuar shumë oferta. Papritmas më patën ftuar që ta referoja këtë ndeshje miqësore. Në fillim e pata refuzuar, mirëpo për disa arsye, të cilat as vetë nuk i di, pata vendosur që të shkoja dhe jam shumë i lumtur që a kam bërë një gjë të tillë”.

 “Goditja më pati rrëzuar përtokë”

Momenti, që ia ka ndryshuar jetën, ka ndodhur pasi që zotëri Scarborough kishte akorduar një gjuajtje të lirë. “Kur topi më pati goditur në kokë isha duke u larguar nga vendi ku akordohej gjuajtja e lirë, për t’i liruar hapësirë futbollistit. Goditja më pati rrëzuar pandjenja përtokë dhe meqë pata rënë me fytyrë, dhëmbët e poshtëm m’u patën thyer”.

(Kosova Sot)