Ish-ministri Baliq dyshohet se ngacmoi seksualisht 23-vjeçaren, një muaj paraburgim për të

  • A.P /
  • 17 August 2020 - 21:04
Ish-ministri Baliq dyshohet se ngacmoi seksualisht 23-vjeçaren, një muaj paraburgim për të

Ish ministri i shëndetësisë dyshohet se ngacmoi seksualisht një 23 vjeçare.

Numan Baliqit, i ka dal punë edhe një herë me drejtësinë.

Kësaj radhe, ai është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale të ngacmimit seksual ditë më parë në spitalin e Pejës.

Bazuar në pretendimet e prokurorisë, vera është kryer ndaj një 23 vjeçare, në vendin e tij të punës.

Viktima ishte nëna e një pacienteje në Repartin e Ortopedisë në Spitalin Rajonal të Pejës, ku dyshohet se  u ngacmua nga mjeku Baliq.

E pas ndalimit 48 orësh nga policia, Prokuroria Themelore në Pejë parashtroi kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit u aprovua nga Gjykata Themelore e Pejës, ndryshe nga viti 2018 kur e njëjta u refuzua.

Edhe në atë kohë, ish ministri i shëndetësisë Numan Baliq, dyshohej për vepër të njëjtë penale.

Këtë e konfirmoi përmes telefonit, zëdhënësja e Gjykatës, Tringa Zhuti.

Ndërkohë avokati mbrojtës i Baliq, Burhan Shabanaj, i tha se vendimin e Themelores do ta ankimojnë në Gjykatën e Apelit.

I njëjti nuk mundi të prononcohet para kamerës, pasi që ishte në një seancë gjyqësore në Gjakovë.

Ndryshe Numan Baliq ishte suspenduar nga puna si kirurg në spitalin rajonal të Pejës, pas ngritjes së aktakuzës për rastin e parë të ngacmimit seksual.

(Kosova Sot Online)