Reagime të ashpra për rrugën Deçan–Plavë

  • A.P /
  • 17 August 2020 - 21:09
Reagime të ashpra për rrugën Deçan–Plavë

Pezullimi i punimeve dy ditë më parë në rrugën Deçan-Plavë, nxiti reagime të shumta në Kosovë.

Nën arsyetimin se pjesa afër manastirit është zonë e mbrojtur, u kërkua nga institucionet përgjegjëse që të ndalohen punimet në atë zonë.

E pas ndalimit të këtyre punimeve, kryeministri Hoti, dha urdhër që të pezullohen ato, gjë që nxiti reagime nga të gjitha anët në Kosovë.

Lëvizja vetëvendosje, Nisma, e AAK ishin disa nga partitë që kundërshtuan ndaljen e këtyre punimeve.

Ndërkohë, analistët vlerësojnë që ky problem në këtë pjesë më së shumti i shkon për favor shtetit të Serbisë.

Analisti, Ramush Tahiri, thotë se i njëjti Manastir kohë më parë ka bërë veprime të ngjashme, ndërsa nuk e konsideron si pengesë serioze ndërtimin e kësaj rruge.

Tahiri e konsideron si dëm të Kosovës, mitizimin e historisë nga serbët karshi shtetit të Kosovës.

Ndërkohë, Faton Abdullahu, thotë që këto debate ani pse janë të ndjeshme, nuk duhet ta shpërqendrojnë ekipin e Kosovës, në takimin e Ëashingtonit.

Abdullahu thotë që shteti serb ka një mekanizëm të sofistikuar si dhe një diplomaci  agresive kundër shtetit të Kosovës, andaj nevojitet një unifikim në skenën politike kosovare.

Me 2 shtator do të mbahet takimi në mes palës kosovare dhe asaj serbe në Ëashington, ndërsa nuk dihet nëse do të diskutohet për këtë temë në atë takim.

(Kosova Sot Online)