Raportohet se janë gjetur në Siri edhe dy fëmijët e Lavdrim Muhaxherit (DOKUMENT)
Në mesin e fëmijëve që janë kthyer në operacionin e fundit nga Siria për në Shqipëri janë edhe dy fëmijët e Lavdrim Muhaxherit. Kështu është raportuar mbrëmë në mediat shqiptare, megjithatë, në Kosovë deri më tani institucionet nuk kanë konfirmuar këtë informacion.
Mbrëmë në mediat e Shqipërisë është publikuar një listë në të cilën figurojnë edhe emrat e dy fëmijëve me mbiemrin Muhaxheri, e që sipas këtyre raportimeve janë fëmijët e terroristit Lavdrim Muhaxheri.
Të dy këta fëmijë janë në mesin e personave që së fundmi janë kthyer nga Siria për në Shqipëri. Kështu po deklaron gazetarja nga Shqipëria, Fatjona Mejdini, që ka publikuar një listë të shkruar me dorë, në të cilën janë të shkruar edhe emrat e fëmijëve të terroristit të ISIS-it të vrarë vite më parë në Siri.
Sipas gazetares Mejdini, gruaja me të cilën ishte martuar Lavdrim Muhaxheri është Floresha Rasha, e cila së bashku me tre fëmijët u kthye në aksionin e fundit.
Floresha Rasha u nis drejt këtij kampi në 2013-n së bashku me bashkëshortin Diamand Rasha, i cili mbeti i vrarë pak muaj më pas.
Floresha, sipas gazetares, u martua më pas me Lavdrim Muhaxherin, me të cilin Mejdini tha se kishte dy prej fëmijëve.
Por kreu i Antiterrorit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano, e kundërshtoi duke thënë se vetëm një prej fëmijëve i përket Muhaxherit, personi që konsiderohej si komandanti i shqiptarëve të ISIS nga Kaçaniku dhe që u vra në 2017-n. Palët replikuan edhe për përmendjen e emrave dhe shfaqjen me figurë të gruas dhe fëmijëve.
Institucionet në Kosovë nuk kanë konfirmuar apo demantuar informacionin se fëmijët e Muhaxherit mund të jenë kthyer në Shqipëri, megjithatë, tashmë kanë dalë pamje nga aksioni që është kryer atje.
Riatdhesimi i pesë shqiptarëve nga Siria në Shqipëri ka qenë lajmi kryesor sot pothuajse në të gjithë mediat shqiptare. Katër fëmijë dhe një grua e plagosur patën fatin falë përpjekjeve të forcave të Antiterrorit shqiptar, që të lënë kampin e “Al Hol” dhe të niseshin drejt Shqipërisë.
Tashmë janë publikuar pamje, ku në të shikohen forcat e të Anti-terrorit Shqiptar duke kryer kontrollet e fundit në kamp.
Në pamje shfaqet edhe një simbol i flamurit të ISIS-it, që është i vendosur në një depozitë uji. Ky simbol duket se vijon të përdoret gjerësisht nga ana e personave të radikalizuar, të cilët ushtrojnë presion dhe mbajnë nën kontroll banorët në kamp.
(Kosova Sot Online)