Çifti planifikon të martohet përsëri

  • 24 November 2015 - 22:04
Çifti planifikon të martohet përsëri

Bashkëshorti u shndërrua në femër

Melissa: “Të dyja do të veshim vello”

Çifti kanë qenë së bashku për afro një dekadë dhe kanë rritur tre fëmijë së bashku, mirëpo Amy as që e ka pasur idenë që ai kishte luftuar me identitetin gjinor, fshehurazi

Image

 

Kur bashkëshorti i Amy Frary-t, Gary, i kishte thënë që nuk ishte i lumtur si mashkull dhe dëshironte të bëhej femër, ajo kishte menduar që martesa e saj kishte marrë fund. Çifti kanë qenë së bashku për afro një dekadë dhe kanë rritur tre fëmijë së bashku, mirëpo Amy as që e ka pasur idenë që ai kishte luftuar me identitetin gjinor, fshehurazi, që prej kur kishte qenë dymbëdhjetëvjeçar. Kur Gary ia kishte thënë bashkëshortes së tij të vërtetën në muajin mars të këtij viti, duke i thënë se dëshironte të shndërrohej në femër dhe të quhej Melissa, Amy ishte tronditur, mirëpo meqë ishte munduar ta ndërtonte një jetë me bashkëshortin e saj, ajo ishte përpjekur që ta kuptonte se nëpër çfarë po kalonte ai.

 

“Jemi më të lumtur se kurrë më parë”

Tani çifti po jetojnë më të lumtur se kurrë dhe madje janë duke planifikuar që t’i ribëjnë betimet e tyre të martesës, në ceremoninë në të cilën planifikojnë që të shfaqen të dyja të veshura me fustan të bardhë. “Kur Gary pati filluar të fliste për faktin që ai ishte i pakënaqur si mashkull, pata menduar që martesa jonë kishte marrë fund”, ka thënë 39-vjeçarja Amy. “Mirëpo, meqë ai ishte dashuria e jetës sime, unë pata dashur që t’i japim edhe një mundësi martesës sonë. Kur fëmijët shkonin në gjumë, ne dilnim dhe Gary vishej si femër. Ka qenë sikur të njoftohesha me të prej fillimit, andaj edhe më është dashur kohë që t’ia njoh anët e reja. Mirëpo tani, është shumë më mirë që jetoj me Melissa-n. Jemi më të lumtur se kurrë më parë”.

 

“Kënaqeshim në shoqërinë e njëri-tjetrit”

Në anën tjetër, Melissa, 33-vjeçare, ka thënë: “Tani gjithçka është shumë më mirë. Nuk kam nevojë të fsheh asgjë. Duam ta festojmë martesën tonë bashkë me fëmijët tanë të bukur pasi të lidhim kurorë përsëri gjatë vitit të ardhshëm. Të dyja do të veshim vello”. Çifti, nga Norfolki i Anglisë, janë takuar në vitin 2006, pasi ishin njoftuar me njëri-tjetrin nëpërmjet vëllait të Amy-t. “Gary dhe unë patëm rënë në dashuri në shikim të parë. Kënaqeshim në shoqërinë e njëri-tjetrit”, ka thënë Amy. Katër muaj më vonë, Gary ishte bartur për të jetuar me Amy-n dhe dy djemtë e saj – Sam-in dhe Dylan-in – të cilët i kishte lindur gjatë kohës kur kishte qenë në një lidhje tjetër të dashurisë. Një vit më vonë Amy e kishte sjellë në jetë vajzën e çiftit, Laila-n, para se të lidhnin kurorë në vitin 2013. Çifti kishte jetuar një jetë të lumtur gjatë gjithë kohës, mirëpo në fund të vitit 2014 Amy kishte filluar të dyshonte që diçka nuk ishte në rregull. Bashkëshorti i saj kishte vuajtur që nga fëmijëria, duke e pasur problem identitetin e tij gjinor, qysh nga mosha e fëmijërisë, kur fshehurazi i kishte provuar rrobat e motrave të tij.

 

(Kosova Sot)