Këto janë organizatat e dyshimta islamike që i mbylli shteti

  • 25 November 2015 - 16:58
Këto janë organizatat e dyshimta islamike që i mbylli shteti

Plotë 16 organizata jo qeveritare, që me vite të tëra kanë vepruar në Kosovë, këto ditë janë mbyllur përfundimisht nga shteti. Këto organizata dyshoheshin se ishin të përfshira në aktivitete të rekrutimit të luftëtarëve për ISIS, financimin e aktiviteteve ekstremiste si dhe përhapjen e propagandës në mbështetje të aktiviteteve ekstremiste.

Bëhet fjalë për organizatat e njëjta, që në shtator të vitit të kaluar, iu është pezulluar aktiviteti i tyre, pikërisht me vendim të organeve shtetërore.

Atëherë shteti pati vendosur ta pezulloj punën e këtyre 14 OJQ-ve, për një vit, ashtu siç e parasheh edhe ligji. Madje mbyllja e tyre pasoi pas arrestimit të 40 të dyshuarve për terrorizëm nga një grup prej 57 të dyshuarish.

Por duke parë që aktiviteti i tyre vazhdonte të lidhej me persona të cilët iu kanë bashkuar vazhdimisht luftimeve të ISIS-it në Siri, Ministria e Punëve të Brendshme kësaj radhe vendosi të mbyll përfundimisht aktivitetet e të gjitha formave për 16 organizatat joqeveritare që vepronin, siç thuhet në komunikatën e kësaj ministrie nën petkun e kinse organizatave me karakter humanitar.

Gazeta Express ka mësuar emrat e organizatave, aktiviteti i të cilave tashmë është shuar.

Bëhet fjalë për organizatat “Sinqeriteti” nga Prizreni, “Rinia Istogase” nga Istogu, “Pema e Bamirësisë” nga Peja, “Parimi” nga Kaçaniku, “Njëshmëria” nga Gjilani, “KAD” në Podujevë, “Gjurma”, “Nektari-HE”, “Kalliri i Mirësisë”, “Çelësi”, “Al Waqf Al Islami”, “Argumenti”, “AKEA” etj.

Kjo e fundit, më saktë e njohur si Asociacionin për Kulturë, Edukim dhe Arsimim (AKEA) është njëra ndër një organizatat më të fuqishme joqeveritare në Kosovë, e regjistruar qysh në vitin 2004.

Deri më tani, që nga mbyllja e tyre, nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar nga udhëheqës të këtyre organizatave.

Ndryshe, Kosova së fundit u rendit në vendin e katërt në botë sa i përket luftëtarëve që janë rreshtuar me ISIS në raport me popullsinë e saj, me rreth 232 luftëtarë. Deri më tani sipas raportimeve, janë afërsisht 50 kosovarë të cilët janë vrarë përkrah ISIS, në periudha të ndryshme kohore.

Më poshtë janë fotot e disa prej OJQ-ve të mbyllura: