Kryeministri rus: Turqia bashkëpunon me ISIS-in në shitjen e naftës

  • 25 November 2015 - 20:32
Kryeministri rus: Turqia bashkëpunon me ISIS-in në shitjen e naftës

Kryeministri i Rusisë, Dmitry Medvedev, ka thënë se disa zyrtarë turq kanë interesa të drejtpërdrejta financiare në tregtimin e naftës së bashku me grupin terrorist Shteti Islamik, duke thënë se Rusia mund të hakmerret ndaj Turqisë për rrëzimin e bombarduesit rus në Siri.

“Veprimet e Turqisë janë de facto mbrojtje e Shtetit Islamik. Nuk është e befasishme, duke i pasur parasysh informacionet që ne posedojmë për interesat e drejtpërdrejta financiare të disa zyrtarëve turq në lidhje me furnizimin me naftë të rafinuar nga impiantet që kontrollohen nga Shteti Islamik”, ka thënë Medvedev.

“Veprimet e pamatura dhe kriminale të zyrtarëve turq kanë shkaktuar një eskalim të rrezikshëm të marrëdhënieve mes NATO-s dhe Rusisë, që nuk mund të justifikohet me asnjë interes, përfshi edhe mbrojtjen e kufijve shtetëror”, ka shtuar ai.

Sipas Medvedevit, Rusia është duke e konsideruar mundësinë e anulimit të disa projekteve me Turqinë, dhe përjashtimin e kompanive turke nga tregu rus.

Tashmë Rusia u ka rekomanduar qytetarëve rusë të mos shkojnë në Turqi për shkak të kërcënimit nga terroristët.