KMDLNj: Ja si po trajtohen deputetët e burgosur të opozitës

  • 01 December 2015 - 14:16
KMDLNj: Ja si po trajtohen deputetët e burgosur të opozitës

Monitorues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, në kuadër të mandatit për monitorimin e respektimit të të drejtave të njeriut në institucionet e ndalimit, ka vizituar deputetët e arrestuar Haxhi Shala nga Nisma dhe Ismajl Kurteshi, deputet i VV.

Deputetët Kurteshi e Shala u arrestuan një ditë më parë, më 30 nëntor 2015 në sallën e Kuvendit të Kosovës, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit.

Deputeti Haxhi Shala i deklaroi KMDLNj –së se ai pas hedhjes së bombolës me gaz lotsjellës ka dalë jashtë sallës së Kuvendit dhe aty jashtë kishin qenë duke e pritur policë për ta arrestuar. Ai pohoi se nuk kishte bërë rezistencë dhe policët janë sjellur mirë me të.

Deputeti Shala më tutje ishte përcjellë për në stacionin policor Qendra ku ishte marrë në intervistë nga prokurori, e më pas i është caktuar masa e ndalimit 48 orë. Gjatë qëndrimit në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë, Shala deklaroi se është shumë i kënaqur me sjelljet e stafit dhe se është informuar me të drejtat që i takojnë. 

“Pavarësisht kushteve jo adekuate në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë, trajtimi dhe sjelljet e stafit janë shumë korrekte”.

Në të njëjtën ditë monitoruesit e KMDLNj – së takuan edhe deputetin e VV, Ismajl Kurteshi. Edhe Kurteshi është arrestuar në sallën e Kuvendit të Kosovës, më 30 nëntor 2015. 

“Ai pohoi se këtë nuk e quan arrestim por kidnapim, pasi, sipas tij, policia nuk kishte një urdhër arrest për të. Gjatë arrestimit z. Kurteshi ka kërkuar nga policët civilë t’i tregojnë fletarrestin por ai ka munguar. Gjithashtu e potencoi se ai nuk është takuar fare me prokurorin shtetëror dhe vetëm më vonë i është sjellur vendimi për caktimin e masës së ndalimit 48 orësh”, thuhet në njoftimin e KMDLNJ. 

Edhe Kurteshi u shpreh i kënaqur me sjelljet e stafit dhe pohoi se është njoftuar me të drejtat që i takojnë dhe konfirmoi se ai ka refuzuar mbrojtësin, pasi siç pohon ai nuk e kishte të nevojshme që për qëndrime të tij politike të angazhohej mbrojtës. 

(Kosova Sot)