U shpërndau çokollata fëmijëve e më pas vrau burra e djem myslimanë, krejt për çka akuzohet “Kasapi i Bosnjës”

  • G.g /
  • 08 June 2021 - 13:40
U shpërndau çokollata fëmijëve e më pas vrau burra e djem myslimanë, krejt për çka akuzohet “Kasapi i Bosnjës”

Një Gjykatë e Kombeve të Bashkuara në Hagë, pritet që më 8 qershor (e martë), të japë vendimin përfundimtar për ish-shefin e ushtrisë serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Ratko Mlladiq, i cili kishte apeluar dënimin për gjenocid. Në vitin 2017, Mlladiq u dënua për rolin e tij në mizoritë më të këqija në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. 

Ish-komandanti serb në Bosnje dhe Hercegovinë, Ratko Mlladiq ishte autori kryesor i krimeve të luftës së Bosnjës në vitet 1990. Viktima dhe familjarët e tyre e quajnë “Kasapi i Bosnjës”.

Pas 16 vjetësh në arrati, ai më në fund u përball me drejtësinë për një listë të gjatë mizorish.

“Jo, jo, jo. Unë nuk dua ta dëgjoj asngjë nga këto”, kishte thënë ai në seancë.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në vitin 2017 e dënoi Mlladiqin për dhjetë akuza për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Gjykata e gjeti fajtor Mlladiqin për udhëheqjen e një fushate të pamëshirshme të spastrimit etnik që kishte për qëllim vrasjen ose ndjekjen e joserbëve nga territory boshnjak gjatë luftës 1992-95.

“Këta njerëz të padëshirueshëm në një territor të dëshirueshëm, nuk mund të zhdukeshin si me magji”, kishte deklaruar prokurori Alan Tieger.

Më shumë se 100 mijë njerëz vdiqën në këtë konflikt. Në korrik të vitit 1995, trupat e Mlladiqit pushtuan qytetin e Srebrenicës, që ishte shpallur zonë e sigurt e Kombeve të Bashkuara.

Fillimisht, ushtarët e Mlladiqit shpërndan çokollata dhe u përpoqën të qetësonin turmat e refugjatëve boshnjakë.

“Kushdo që dëshiron të largohet nga ky territor, mund ta bëjë”, kishte thënë Mlladiq.

Por, disa orë më vonë, trupat serbe vranë burra dhe djem myslimanë në masakrën më të rëndë në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Gjykata e Hagës vërtetoi se Mlladiq dha urdhër për një akt gjenocidi.

“Mlladiq vuri në lëvizje, përmes oficerëve vartës, një operacion të zgjeruar, të mirëorganizuar, që do të vriste mbi 7 mijë burra dhe djem brenda pak ditësh”, deklaroi prokurori Dermot Groome.

Në sallën e gjyqit, Mlladiq nuk shfaqi pendesë. Ai madje kërcënoi nënën e një viktime të Srebrenicës që ishte në sallë.

Ai bëri gjestin e prerjes së fytit (në drejtim timin.) Megjithatë, unë reagova nga galleria e publikut me këtë (gjest me pranga): Tani je në burg”, thotë Munira Subasiq, nënë nga Srebrenica.

Mlladiq po ashtu drejtoi rrethimin e Sarajevës, kryeqytetit të Bosnjës.

Për katër vjet, rreth 10 mijë njerëz u vranë nga granatimet dhe snajperët derisa ishin bllokuar në qytet.

Mlladiq u lind më 1942 në fshatin Bozanoviqi në Bosnjë e Hercegovinë. Ai u bë një ushtar karriere në ushtrinë jugosllave. Kur Jugosllavia filloi të shpërbëhej, më 1991 ai u dërgua për të luftuar me kroatët separatist.

I vlerësuar si oficer i ashpër, ai u gradua gjeneral. Në mes të konfliktit boshnjak më 1994, Mlladiq tha se ai thjeshte po mbronte serbët.

“Unë nuk kam marr pjesë në asnjë krim. Unë vetëm kam mbrojtur njerëzit e mi”, kishte thënë Mlladiq.

Pas luftës, Mlladiq u strehua nga serbët, që e konsideronin atë si një hero. Ai u arrestua nga forcat special të policisë serbe më 2011 në fshatin Llazarevo në veri të Serbisë.

Pas presionit të madh ndërkombëtar, Serbia ekstradoi Mlladiqin në Hagë për t’u përballur me drejtësinë.

Në kohën e arrestimit, shëndeti i tij ishte dobësuar dhe ekipi i tij mbrojtës kërkoi dënim më të butë.

Por, në argumentet e tyre përfundimtare, prokurorët kërkuan nga gjykata që ta dënonte atë me burgim të përjetshëm.

Çdo gjë më pak, sipas tyre, do të ishte e turpshme.

“Ka ardhur kiha që gjenerali Mlladiq të mbajë përgjegjësi për krimet kundër secilës prej viktimave dhe komuniteteve që ka shkatërruar”, kishte thënë prokurori.

(Kosova Sot Online)