Vetëm në Prishtinë janë 10 mijë qen endacakë

  • E.K /
  • 16 April 2022 - 17:18
Vetëm në Prishtinë janë 10 mijë qen endacakë

Asamblisti i LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Pëllumb Bajqinovci, ka thënë se praktika e mëhershme për vrasjen e qenve endacakë nuk ishte efektive.

“Vrasja e qenve endacakë, si praktikë e mëhershme e Kuvendit Komunal të Prishtinës, në vitin 2011, pati zgjuar reagime të shumta te qytetarët dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Atë kohë ishin eliminuar rreth 300 qenë endacakë. Në Prishtinë janë rreth 10,000 qen endacakë, kurse në mbarë Kosovën thuhet se numri i tyre arrin në 250 mijë, sipas nje raporti. Ligji kërkon që qentë endacakë të trajtohen dhe të kthehen në rrugë. Vetëm veterinari i certifikuar mund të vendosë për eutanazimin e qenit dhe vetëm në qoftë se është i sëmurë”.

Bajqinovci tha se problemi i vazhdueshëm me qentë endacakë, që së fundi është përkeqësuar, nuk mund të zgjidhet nga komunat veç e veç, por duhet një strategji mes komunave, qeverisë dhe AUV-it.

Ai ka thënë se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar bashkëpunim nga komunat e tjera dhe qeveria, sepse insiston se ky problem nuk mund të zgjidhet veç nga Komuna e Prishtinës.

Madje, Bajqinovci jep shifra alarmante për numrin e qenve endacakë në kryeqytet.

“Mendoj dhe ështe reale se siguria e qytetarëve dhe shëndeti publik posaqerishtë në kryeqytet ështe e cenuar nga numri i madh i qenve endacak diku mendohet se vetëm në Komunën e Prishtinës janë 10.000 qen dhe deri ne fund të vitit numri mund të rritet në 14.000, ku pastaj me kaq numër të madh rriten rastet e agresivitetit të cilat i shfaqin për arsye të ftohtit dhe mungesës së ushqimit. Bashkëpunimi i opozitës dhe pozitës në nivel lokal dhe në nivel qendror në zgjidhjen afatgjate të problemit duhet të rritet dhe duhet të ketë mirekuptim”.

(Kosova Sot Online)