Një nëntëvjeçare në mesin 34 të vrarëve në Ukrainë nga një raketë ruse

  • G.G /
  • 12 July 2022 - 12:54
Një nëntëvjeçare në mesin 34 të vrarëve në Ukrainë nga një raketë ruse

Numri i të vdekurve nga një sulm me raketa në një bllok apartamentesh në Chasiv Yar, në Ukrainën lindore, ka arritur në 34 derisa ekipet e shpëtimit kanë vazhduar nxjerrjen e truprave nga rrënojat.

Sipas Kievit, ndërtesa e banimit u godit nga raketat ruse të lëshuara nga sistemet e kamionëve, të shtunën në mbrëmje.

Shërbimet e urgjencës ukrainase fillimisht raportuan për 10 veta të vdekur, por ndërsa ekipet e shpëtimit vazhduan të gërmonin në rrënoja, ky numër u rrit, shkruan The Guardian.

Viktima e fundit, një nëntëvjeçare, u raportua se u gjet rreth orës 23:30 të së hënës.

Ministria e Punëve të Brendshme të Ukrainës, në një përditësim të ngjarjes të hënën vonë tha se numri i të vdekurve ishte 33, duke përfshirë një fëmijë. Më pas, duke cituar shërbimet e urgjencës shtetërore, të martën në mëngjes ky numër ishte rritur në 34, sipas Pavlo Kyrylenko, guvernator i rajonit të Donetsk.

“Rusët do të mbajnë përgjegjësi për çdo jetë të shkatërruar dhe të gjymtuar”, shtoi ai.

Ai tha se ende ka njerëz që janë të bllokuar nën rrënoja.

(Kosova Sot Online)