Oda e Infermierëve të Kosovës, drejt anëtarësimit në Federatën e Infermierëve të Evropës

  • E.K /
  • 19 October 2022 - 11:47
Oda e Infermierëve të Kosovës, drejt anëtarësimit në Federatën e Infermierëve të Evropës

Në takimin e 115-të të Federatës së Infermierëve të Evropës (EFN) që është mbajtur në Bled të Sllovenisë, OIK ka marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit derisa janë bërë hapa të rëndësishëm për anëtarësimin e OIK në EFN.

Një delegacion i Odës së Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë i udhëhequr nga kryetari Naser Rrustemaj, ka marrë pjesë në takimin e 115-të të Federatës së Infermierëve të Evropës (EFN) që është mbajtur në Bled të Sllovenisë.

Në këtë takim, kryetari Rrustemaj dhe delegacioni i OIK, kanë takuar znj.Elizabeth Adams, Presidente e Federatës Evropiane të Shoqatave të Infermierëve si dhe z.Paul de Reave, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Infermierëve të Evropës (EFN).

Nikoqir i këtij takimi ka qenë Asociacioni slloven i infermierisë i udhëhequr nga zonja Monika Azhman.

OIK ka marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit derisa ka vlerësuar se ky është një hap tejet i rëndësishëm për OIK, pasi hapi i ardhshëm do të jetë aplikimi dhe anëtarësimi në Federatën e Infermierëve të Evropës (EFN).

Kjo do të ndodhë në takimin e shkurtit 2023 kur do të shqyrtohet kërkesa e OIK që të jetë anëtare e EFN-së.

Në prill të vitit 2023 OIK pritet të ftohet edhe zyrtarisht për të qenë pjesë e EFN-së.

Komuniteti infermieror do të përfitojë shumë nga ky anëtarësim.

Kompetencat praktike dhe njohjet do të harmonizohen në nivel të BE-së dhe të licencuarit në OIK do të jenë të barabartë me të gjithë infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësorë, pjestarë të odave dhe asociacioneve evropiane të infermierisë.

OIK ka treguar gatishmëri të plotë për të përmbushur kriteret e EFN-së, për të qenë pjesë e kësaj organizate.

(Kosova Sot Online)