Katër policët e bllokuar në veri zhvendosen në stacionin e Leposaviqit

  • E.k /
  • 14 December 2022 - 14:22
Katër policët e bllokuar në veri zhvendosen në stacionin e Leposaviqit

Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, ka bërë me dije se katër policë që dyshohet se kishin mbetur të bllokuar për katër ditë në veri, mbrëmë kanë arritur të dalin në stacionin policor në Leposaviq, përcjell "Kosova Sot Online".

“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se, njësiti policor në përbërje prej katër zyrtarëve policor të cilët ishin me detyrë zyrtare në atë zonë, të njëjtit veçse kanë lëvizur mbrëmë për në stacionin policor Leposaviq, ku edhe qëndrojnë”, tha policia.

“Aktet kriminale, vendosja e barrikadave, sulmet me armë zjarri e mjete shpërthyese, kanë vështirësuar punën e institucioneve të sigurisë, kanë cenuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave, por nuk kanë ndaluar punën e Policisë së Kosovës e cila në vazhdimësi është angazhuar maksimalisht në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve dhe vendit”, thuhet në njoftim.

Policia thotë se “në vazhdimësi e kemi bërë të ditur se Policia e Kosovës punën e bazon në vlerat e saja si profesionalizmi, përgjegjësia dhe integriteti, në kuadër të të cilave ofron siguri dhe trajton të gjithë qytetarët pa dallime”.

(Kosova Sot Online)