Operacioni policor në Prishtinë e Mitrovicë, zbardhen detajet
Me qëllim të zbardhjes së veprimtarisë kriminale të disa personave të dyshuar në kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës kanë zhvilluar hetime intensive, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Prokuroria njofton se dje u realizua operacioni policor, ku janë arrestuar pesë persona, të cilët dyshohen se në mënyrë të organizuar si grup kriminal kanë kryer vepra penale si: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 277 lidhur me veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Kontrabandimi me migrantë”, sipas KPRK-së.
“Në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike dhe planeve operacionale, që kanë për qëllim luftimin e veprimtarive kriminale, që ndërlidhen me fushën e krimit të organizuar, operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës dhe Mitrovicës Jugore, i cili ka përfshirë pesë (5) lokacione të ndryshme”, njofton prokuroria, transmeton Express.
Gjatë realizimit të operacionit policor janë arrestuar të dyshuarit me iniciale si në vijim:
K. K., viti i lindjes 1965 m/kosovar, G. T. viti i lindjes 1969 m/shqiptar/Shqipëri, E. A, viti i lindjes 1970 m/kosovar, H. H., viti i lindjes 1978 m/kosovar, E. R., viti i lindjes 1992 m/kosovar.
Gjatë kontrollit të kryer në prona/shtëpi banimi, janë gjetur pajisje për prodhimin e dokumenteve të udhëtimit për në shtete të ndryshme të cilat janë sekuestruar në cilësi të provave materiale:
“(21) pasaporta të shteteve të ndryshme evropiane, (5) leje qëndrimi, letërnjoftime dhe patentë shoferë të shteteve të ndryshme, Pajisje dhe materiale te ndryshme elektronike që dyshohen për prodhimin e dokumenteve, (4) telefona mobilë, (1860) euro, (48700) lekë, (10) funta, (395) lira turke, (1) veturë me targa të Kosovës dhe (1) veturë me targa të Shqipërisë”.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, pesë të dyshuarit e arrestuar janë dërguar në mbajtje, si dhe për të njëjtit është ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në drejtim të veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
(Kosova Sot Online)