Izraeli paralajmërohet për katastrofë nëse nis ofensivë tokësore në Rafah

  • A.P /
  • 11 February 2024 - 13:00
Izraeli paralajmërohet për katastrofë nëse nis ofensivë tokësore në Rafah

Vendet fqinje të Izraelit, dhe ndërmjetësuesit kyçë, kanë paralajmëruar për katastrofë, nëse ushtria izraelite nis ofensivë tokësore në qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku Izraeli beson se janë edhe disa bastione të Hamasit – bashkë me mbi gjysmën e popullsisë së enklavës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Sulmet ajrore izraelite kanë vrarë të paktën 44 palestinezë – përfshirë shumë fëmijë – në Rafah të shtunën, disa orë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ka thënë se i ka kërkuar ushtrisë një plan për evakuim të qindra mijëra njerëzve, para se të nisë pushtimi.

Ai nuk ka përmendur afate kohore, por njoftimi ka shkaktuar panik.

Më shumë se 2.3 milionë banorët e Gazës janë duke u strehuar në Rafah, që gjendet në kufi me Egjiptin.

Shumë prej tyre kanë ikur pas kërkesave të ushtrisë izraelite për t’u larguar prej dy të tretës së territorit të Gazës, pas nisjes së luftës më 7 tetor të vitit të kaluar.

Tani është e paqartë se ku mund të shkojnë ata.

Lufta është nxitur prej sulmeve të Hamasit në tokën izraelite, atë ditë, duke vrarë mbi 1.200 izraelitë dhe duke marrë 240 pengje.

Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Sameh Shoukry, ka thënë se ofensiva tokësore e Izraelit do të kishte “pasoja shkatërruese” dhe, sipas tij, Izraeli synon t’i dëbojë palestinezët prej asaj toke.

Egjipti ka paralajmëruar se çdo lëvizje e palestinezëve drejt Egjiptit mund të kërcënojë traktatin e paqes – të vjetër mbi katër dekada – në mes të Izraelit dhe Egjiptit.


(Kosova Sot Online)