Albulena Haxhiu takohet me homologun danez, e njofton për procedurat e ndërmarra për marrëveshjen me burgje
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka pritur në takim homologun e saj danez, Peter Hummelgaard, përcjell “Kosova Sot Online”.
Siç njofton Ministria e Drejtësisë, gjatë takimit u diskutua rreth “rëndësisë së ratifikimit të Marrëveshjes mes Republikës se Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për marrjen në shfrytëzim të hapësirave të burgut në Gjilan. Që nga muaji korrik, për shkak të bllokimit me mosvotim të marrëveshjeve ndërkombëtare, kjo marrëveshje ka mbetur pa u ratifikuar”.
Në anën tjetër, ministrja Haxhiu ka njoftuar ministrin Hummelgaard se Shërbimi Korrektues i Kosovës veçse ka filluar procedurat për hartimin e specifikave teknike për adoptimin e hapësirave banuese si dhe rekrutimin e stafit shtesë.
MD thotë se në seancën plenare të datës 15 shkurt, marrëveshja do të diskutohet dhe votohet nga deputetët.
(Kosova Sot Online)