Haxhiu: Unë vlerësoj se vendimi për dinarin është i drejtë, është e rëndësishme që ta kemi koordinimin
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se vlerëson se vendimi për dinarin është i drejtë, përcjell “Kosova Sot Online”.
“Unë vlerësoj se vendimi për dinarin është i drejtë. Është e rëndësishme që ta kemi koordinimin, mbështetjen në vazhdimësi, por nuk mund të përjashtojmë situata ku për një çështje mund të kemi qëndrime të ndryshme. Kjo nuk do të thotë se ne jemi kundër Amerikës, kundër ambasadorit amerikan, apo personaliteteve të tjera. Kjo do të thotë se ne kemi një qëndrim që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës me legjislacionin në fuqi dhe si i tillë duhet të mbetet në fuqi”, ka thënë ajo.
Tutje, ajo ka thënë se nuk mund të ketë zmbrapsje nga vendimi që është marrë.
Tutje, Haxhiu ka thënë se vendimi është marrë sepse është i drejtë dhe është dashur të merret vite më parë.
“Vendimi i tillë nuk është marrë më qëllim të zbehjes së ndonjë raportit, qoftë me ShBA-në, me BE-në apo miqtë tanë që e kanë mbështetur Kosovën në vazhdimësi. Vendimi është marrë sepse është i drejtë dhe është dashur të merret vite më parë…Nuk mund të këtë zmbrapsje, sepse BQK është institucion i pavarur dhe Qeveria e mbështetë vendimin në fjalë. Prandaj, unë e vlerësoj që të kemi takime të vazhdueshme, që sa herë të jetë nevoja të argumentojmë që vendimi është i drejtë dhe nuk është bërë kundër serbëve”, ka thënë ajo.
(Kosova Sot Online)