Trump është gjithnjë e më pranë nominimit për garën presidenciale
Donald Trump është gjithnjë e më pranë nominimit nga radhët e republikanëve për garën presidenciale pas fitores së madhe që mori ndaj Nikki Haley në Karolinën e Jugut, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ish-presidenti arriti një rezultat me 20 pikë diferencë ndaj kundërshtares së tij brenda partisë, në fitoren e katërt radhazi.
Teksa festonte rezultatin, Trump nuk e përmendi rivalen e tij Haley, e cila u zotua të qëndronte ende në garë, ndonëse shifrat tashmë po bëhen gjithnjë e më kokëforta. Në vend të kësaj, ai u fokusua te zgjedhjet e përgjithshme në nëntor.
“Ne do ta shikojmë Joe Biden drejt në sy. Ai po shkatërron vendin tonë dhe do t’i themi ‘dil Joe je pushuar nga puna”, u shpreh ish-presidenti.
Trump nuk harroi të vlerësonte unitetin e partisë së tij pas rezultatit të së shtunës, duke thënë se “Nuk ka pasur kurrë një frymë si kjo. Unë kurrë nuk e kam parë Partinë Republikane kaq të unifikuar”.
Nikky Haley, e cila më herët ka shërbyer si guvernatore e Karolinës së Jugu, në dy mandate, e përgëzoi kundërshtarin e saj për fitoren. Ajo shtoi se nuk do të hiqte dorë, sepse votat që mori nuk ishin pak dhe për këtë arsye do të vijonte të respektonte vullnetin e mbështetësve.
“Ka një numër të madh votuesish në zgjedhjet tona paraprake republikane që thonë se duan një alternativë. Unë nuk po heq dorë nga kjo luftë kur shumica e amerikanëve nuk e pranojnë Donald Trump dhe Joe Biden”, shtoi ajo.
Ajo u zotua të qëndrojë në garë të paktën deri Super Martën e 5 Marsit, kur votuesit në 16 shtete do të hedhin votat e tyre në të njëjtën ditë.
(Kosova Sot Online)