Zgjedhjet lokale turke do t’ia matin popullaritetin Erdoganit

  • A.P /
  • 27 March 2024 - 22:22
Zgjedhjet lokale turke do t’ia matin popullaritetin Erdoganit

Të dielën, miliona votues në Turqi do t’ia mësyjnë qendrave të votimit për t’i zgjedhur kryetarët dhe administratorët komunalë në zgjedhjet lokale, të cilat do ta matin popullaritetin e presidentit, Recep Tayyip Erdogan, derisa partia e tij në pushtet do të përpiqet t’i rikthejë qytetet kryesore që i humbi para pesë vjetëve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Fitorja e mundshme e partisë së Erdoganit mund ta nxisë liderin turk ta kërkojë ndryshimin e Kushtetutës, për t’ia mundësuar atij të sundojë edhe përtej mandatit të tij të tanishëm përfundimtar.

Ndërkohë, mbajtja e komunave në qytetet kryesore do ta ndihmonte opozitën turke të gjallërohet, pasi ajo ka mbetur e demoralizuar dhe e ndarë pas disfatës në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Beteja për Stambollin

Në zgjedhjet e fundit të mbajtura më 2019, opozita u bashkua dhe i fitoi komunat në kryeqytet, Ankara, dhe në vatrën komerciale, Stamboll, duke i dhënë fund mbizotërimit udhëheqës 25-vjeçar të partisë në pushtet në këto qytete të mëdha.

Humbja e Stambollit ishte në veçanti goditje e rëndë për Erdoganin, i cili e nisi karrierën politike mu si kryetar i metropolit të gati 16 milionë banorëve më 1994.

Erdogani e ka zgjedhur Murat Kurumin, një 47-vjeçar ish-ministër i Mjedisit dhe Urbanizmit, për të garuar kundër kryetarit të tanishëm, Ekrem Imamoglu – një politikan i njohur nga Partia Republikane Popullore, apo CHP.

Imamoglu është përfolur si një kandidat i mundshëm presidencial për ta sfiduar Eroganin.

Këtë herë, megjithatë, Imamoglu, 52 vjeç, po garon në zgjedhje lokale pa mbështetjen e partisë kryesore prokurde të Turqisë, partisë nacionaliste IYI, e cila po garon me kandidatët e vet.

Ndërkohë, një parti e re konservatore fetare, Partia e Re për Mirëqenie (YRP), ka njoftuar se do të garojë në këto zgjedhje. Duke iu lutur votuesve konservatorë dhe fetarë, të cilët janë të pakënaqur me mënyrën se si Erdogani e ka udhëhequr ekonominë, ajo pritet t’ia rrëmbejë disa bota kandidatëve të Erdoganit.

Sondazhet tregojnë se do të jetë një garë fytafyt mes Imamoglut dhe Kurumit, të cilët kanë premtuar projekte infrastrukturore për t’i bërë ndërtesat të përballueshme ndaj tërmeteve dhe për ta rregulluar trafikun e dendur kronik.

Pritjet janë të mëdha që opozita ta mbajë Ankaranë, ku kryetari i tanishëm, Mansur Zavas, vazhdon të gëzojë popullaritet. Edhe ai është përfolur si kandidat presidencial në të ardhmen.

Erdogani synon ta përforcojë pushtetin

Për të mos i lënë asgjë rastit, Erdogani – i cili ka qenë në pushtet si kryeministër e pastaj si president për më shumë se dy dekada – është duke mbajtur tubime elektorale nëpër gjithë vendin, duke bërë fushatë në emër të kandidatëve që garojnë për kryetarë.

Analistët thonë se vendosmëria e Erdoganit për ta bërë një kushtetutë të re, të cilat do t’ia mundësonin atij të udhëheqë edhe pas vitit 2028 kur i mbaron mandati i tanishëm, do të përforcohej edhe më shumë nëse i rifiton Ankaranë dhe Stambollin.

Kushtetuta e tanishme turke përcakton se një president mund t’i mbajë vetëm dy mandate në presidencë.

Erdogani, 70 vjeç, garoi për mandatin e tretë vitin e kaluar, duke u thirrur në hollësi teknike, sepse Turqia kaloi në sistem presidencial më 2018, ndërsa mandatin e parë ai e kreu sipas sistemit të kaluar.

Erdogani dhe aleatët e tij nuk kanë ulëse të mjaftueshme në Parlament për ta bërë një kushtetutë të re tani për tani, por një triumf tjetër elektoral mund t’i bindë disa deputetë konservatorë të ndërrojnë anë, thonë analistët.

Shpresat e opozitës për rikthim

Një aleancë opozitare e përbërë nga gjashtë parti, e udhëhequr nga CHP-ja, është shpërbërë pas një disfatë shkatërruese në zgjedhjet e vitit të kaluar. Mbështetësit e koalicionit mbetën të demoralizuar, pasi dështoi ta rrëzojë Erdoganin, me gjithë krizën ekonomike dhe ndikimit të tërmetit katastrofik.

Aftësitë e CHP-së për t’i mbajtur qytetet që i fitoi para pesë vjetëve, do ta ndihmojnë atë ta ringjallë partinë dhe ta lejojë atë të paraqitet si një alternativë për partinë e Erdoganit në pushtet.

Humbja ndaj partisë së Erdoganit në Ankara dhe Stamboll, në anën tjetër, mund t’ua shuajë shpresat presidenciale Yavasit dhe Imamoglut.

Fushatë jofer

Njëlloj si në zgjedhjet e mëparshme, Erdogani është duke e përdorur përparësinë e të qenet president, shpesh duke ia mundësuar vetes përdorimin e burimeve shtetërore gjatë fushatës.

Rreth 90 për qind e mediave turke janë në grushtin e Qeverisë, apo mbështetësve të saj, sipas vëzhguesve të mediave. Ato i promovojnë fushatat e partisë në pushtet dhe aleatëve e saj, ndërsa ia mohojnë mundësinë e njëjtë opozitës.

Transmetuesi shtetëror, TRT, i kushtoi 32 orë transmetim partisë në pushtet në 40 ditët e para të fushatës, krahasuar me 25 minuta që ia kushtoi sfiduesve të saj, sipas opozitës.

Gjatë fushatës, Erdogani i paralajmëroi fshehurazi votuesit t’i mbështesin kandidatët e partisë në pushtet, nëse duan të marrin shërbime qeveritare. Ai e rriti pagën minimale për 49 për qind, pavarësisht përpjekjeve të Qeverisë të tij për ta kontrolluar inflacionin.

Lideri turk ka vazhduar ta shfaqë suksesin e vendit të tij në industrinë e mbrojtjes gjatë tubimeve të tij elektorale.

Votat kurde

Votuesit kurdë e përbëjnë rreth 10 për qind të elektoratit në Stamboll dhe vota e tyre mund të jetë vendimtare në garën për kryetar.

Partia turke prokurde – tani e njohur si Partia e Popullit për Demokraci dhe Barazi, apo DEM – zgjodhi ta mbështetë Imamoglun në zgjedhjet komunale më 2019, duke i ndihmuar të fitojë.

Këtë herë, megjithatë, ajo ka vendosur të garojë me kandidatët e vet, dhe kjo ka mundësi t’i largojë votuesit nga Imamoglu.

Prapëseprapë, disa vazhdues thonë se kjo parti me qëllim i ka caktuar dy kandidatë të profilit të ulët në mbështetje taktike për kryetarin e tanishëm.

Ndërkohë, partia DEM pritet t’i fitojë shumë komuna në rajonet juglindore të Turqisë me shumicë kurde. Çështja është nëse partia do të lejohet ta mbajë pushtetin në to.

Në vitet paraprake, Qeveria e Erdoganit i largoi kryetarët e zgjedhur për gjoja lidhjet e tyre me militantët kurdë dhe i zëvendësoi me të besuar të shtetit.

Gjatë një tubimi në qytetin me shumicë kurde, Hakari, më 15 mars, Erdogani u bëri thirrje votuesve të mos votojnë për individë të cilët, sipas tij, do të dërgonin fonde në “organizata terroriste”, duke iu referuar Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e njohur si PKK, e cila është e ndaluar.

(Kosova Sot Online)