Anulohet gjykimi ndaj inspektorëve të ATK-së, PSRK ende s’ka caktuar një prokuror për përfaqësimin e rastit

  • S.A /
  • 28 March 2024 - 12:33
Anulohet gjykimi ndaj inspektorëve të ATK-së, PSRK ende s’ka caktuar një prokuror për përfaqësimin e rastit

Për shkak se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ende nuk ka caktuar një prokuror për përfaqësimin e lëndës ndaj ish-inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe të tjerëve, të cilët po akuzohen për korrupsion dhe vepra tjera penale është anuluar seanca e së enjtes, transmeton "Kosova Sot Online ".

Në këtë rast, dy ish-inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ramadan Ibishi dhe Selatin Hoxha, akuzohen për zbulim të fshehtësisë zyrtare. Ndërsa Skender Fetaj, Ramadan Latifi, Driton Haxhija, Arian Kastrati dhe Burim Ismajli, akuzohen për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Kurse Ramadan Latifi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje. Ndërkaq, për ndihmë në zbulim të fshehtësisë zyrtare, akuzohet Fisnik Ibishi.

Anulimin e kësaj seance, e ka konfirmuar gjykatësi i rastit Valon Kurtaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurtaj tha se prokuror i këtij rasti ka qenë Shpëtim Peci, por për shkak të transferimit të tij në Mitrovicë PSRK-ja përmes emailit ka njoftuar gjykatën se ende nuk ka caktuar prokuror tjetër për përfaqësimin e këtij rasti.

Po ashtu, u bë e ditur se edhe seanca e planifikuar për nesër (29 mars 2024) është anuluar për këtë arsye.

Ndryshe, për këtë rast ishte anuluar edhe seanca e 22 marsit 2024.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 maj 2019, të pandehurit Skender Fetaj, si pronar i biznesit “EGTK II” sh.p.k, Arian Kastrati dhe Driton Haxhija si menaxherë, në bashkëkryerje kanë organizuar ose marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit. Për këtë vepër akuzohen edhe Ramadan Latifi dhe Burim Ismajli. Latifi po akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërsa, Ramadan Ibishi dhe Selatin Hoxha akuzohen se në cilësinë e inspektorëve të lartë të Administratës Tatimore të Kosovës, në drejtorinë e lojërave të fatit, iu kanë vënë në dispozicion informatat që janë fshehtësi zyrtare të pandehurve Driton Haxhija dhe menaxherëve të tjerë, duke i njoftuar për aksionet e ATK-së, duke iu mundësuar t’iu ikin kontrolleve në mënyrë që të mos gjobiteshin. Kurse, Fisnik Ibishi, akuzohet se me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Ramadan Ibishi, në kryerjen e veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.

(Kosova Sot Online )