Gorçeviq: Mali i Zi në Komitetin e Ministrave do ta përkrahë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Europës

  • E.K /
  • 29 March 2024 - 15:02
Gorçeviq: Mali i Zi në Komitetin e Ministrave do ta përkrahë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Europës

Ministrja për Çështje Europiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq, ka thënë se vendi i saj do ta përkrahë anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Europës në Komitetin e Ministrave në maj, përcjell “Kosova Sot Online”.

Ndërkaq, për votën kundër të deputetes malazeze në votimin e raportit në Paris, ajo thotë se përbën qëndrim partiak dhe jo shtetëror.

“Votimi i disa deputetëve në Asamblenë Parlamentare në Këshillin e Europës nuk do të thotë domosdoshmërisht edhe qëndrimin e Qeverisë. Në këtë rast nuk domethënë qëndrimin e Qeverisë së Malit të Zi. Ajo e ka nxjerrë qëndrimin e partisë së vet”.

“Dua t’ju përkujtoj që Qeveria është me karakter heterogjen…shumica parlamentare kanë nënshkruar marrëveshje koalicioni dhe janë obliguar në disa të drejta. Me këtë marrëveshje nënkuptojmë gjithashtu edhe përkrahjen e Kosovës për pavarësinë e saj dhe sovranitetin si shtet. Dua të nënvizoj se Mali i Zi në Komitetin e Ministrave do ta përkrahë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Europës dhe në këtë mënyrë padyshim që do t’ia japë përkrahjen Kosovës sa i përket të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me interesin në fushën e integrimeve europiane”, ka thënë ajo.

(Kosova Sot Online)