Vriten 22 persona pasi Izraeli sulmon qytetin e Rafahut
Sulmet izraelite gjatë natës në qytetin jugor të Gazës, Rafah, shkaktuan vdekjen e 22 personave mes tyre 18 fëmijë, bënë të ditur zyrtarët palestinezë ët shëndetësisë të dielën. Zhvillimet ndodhën ndërsa Shtetet e Bashkuara po shkonin drejt miratimit të miliarda dollarëve ndihmë ushtarake shtesë për Izraelin, aleatin e tyre të ngushtë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Izraeli ka kryer sulme ajrore pothuajse çdo ditë në Rafah, ku është zhvendosur më shumë se gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh e Gazës, për t’i shpëtuar luftimeve diku tjetër.
Autoritetet izraelite janë zotuar të zgjerojnë ofensivën tokësore në këtë qytet në kufi me Egjiptin, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për vetëpërmbajtje, edhe nga Uashingtoni.
Të shtunën Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një paketë ndihme prej 26 miliardë dollarësh për Izraelin që përfshinte rreth 9 miliardë dollarë ndihmë humanitare për Gazën.
Si pasojë e luftës Izrael-Hamas janë vrarë mbi 34 mijë palestinezë sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë si dhe janë shkatërruar dy qytetet më të mëdha të Gazës e pjesë të tjera të rajonit.
Rreth 80% e popullsisë është zhvendosur në pjesë të tjera të territorit që sipas ekspertëve ndodhet në prag të urisë.
Izraeli nisi ofensivën në përgjigje të sulmit terrorist të Hamasit ndaj shtetit hebre më 7 tetor 2023, gjatë të cilit u vranë rreth 1200 persona, sipas shifrave izraelite. Militantët morën peng edhe rreth 250 të tjerë. Izraeli thotë se rreth 130 vetë vazhdojnë të mbahen peng, por një e katërta e tyre kanë të vdekur. Hamasi është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Bashkimi Evropian e të tjera vende.
Konflikti, që ka hyrë tashmë në muajin e tij të shtatë, ka ndezur tensione rajonale duke vendosur Izraelin dhe SHBA-në kundër Iranit dhe grupeve militante aleate në të gjithë Lindjen e Mesme. Pas një sulmi të pashembullt ajror të Iranit ndaj Izraelit, ky u fundit u kundërpërgjigj duke rritur edhe më tej frikën e një konflikti më të gjerë.
Tensionet janë rritur edhe në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. Trupat izraelite vranë dy palestinezë për të cilët ushtria tha se sulmuan një pikë kontrolli me thikë dhe armë zjarri, pranë qytetit jugor të Hebronit në Bregun Perëndimor të dielën herët në mëngjes.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se dy të vrarët, 18 dhe 19 vjeç, ishin anëtarë të së njëjtës familje. Sipas ushtrisë nuk kishte viktima në mesin e forcave izraelite.
Mijëra izraelitë kanë dalë në rrugë për të kërkuar zgjedhje të reja për të zëvendësuar kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe një marrëveshje me Hamasin për lirimin e pengjeve. Zoti Netanyahu është zotuar të vazhdojë luftën deri në shkatërrimin e plotë të Hamasit dhe kthimin e të gjithë pengjeve.
(Kosova Sot Online)